Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Shoqata Amerikano-Shqiptare e Zbatimit të Ligjit, kontribut prej 10 000 dollarësh për familjarët e Dëshmorit të Atdheut Allaman Dervishi

Nga A2 CNN
7 Mars 2023, 11:24 | Aktualitet

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, priti në takim kryetarin e Shoqatës Amerikano-Shqiptare të Zbatimit të Ligjit, Elton Shametaj, dhe disa prej anëtarëve të kësaj shoqate.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar me praninë e familjarëve të Dëshmorit të Policisë Allaman Dervishi dhe të drejtuesve të Policisë, Drejtori i Përgjithshëm ka falënderuar z. Shametaj, për solidaritetin e treguar në mënyrë të vazhdueshme, për familjarët e punonjësve të Policisë që kanë humbur jetën në krye të detyrës. 

“Vlerësoj shumë humanizmin tuaj dhe të anëtarëve të shoqatës, kontributin për të mbështetur dhe për të ndihmuar sadopak familjarët e Dëshmorëve të Policisë. Angazhimi juaj për rritjen e imazhit të Policisë së Shtetit në SHBA, është shumë i nevojshëm për ne dhe për këtë ju jam mirënjohës në emër të Policisë së Shtetit”, - është shprehur Drejtori i Përgjithshëm.

Elton Shametaj: “Ne ndihemi krenarë që kontribuojmë për imazhin e Policisë së vendit tonë. Pavarësisht se ne jetojmë dhe punojmë në SHBA, e ndiejmë detyrë dhe mision të përkrahim vendin tonë. Sot jemi këtu për t’i dhuruar familjarëve të njërit prej Dëshmorëve të Policisë, një çek me kontributin e të gjithë Shoqatës Amerikano-Shqiptare të Zbatimit të Ligjit. Dëshmorët e Policisë janë burim frymëzimi, akti i tyre sublim përbën obligim për të gjithë ne që të kujdesemi dhe të ndihmojmë familjarët e tyre”.     

Në shenjë të këtij solidariteti, kryetari i Shoqatës Amerikano-Shqiptare, Elton Shametaj, i ka dorëzuar familjarëve të Dëshmorit të Atdheut Allaman Dervishi, çekun prej 10 000 dollarësh.    

Familjarët e Dëshmorit të Atdheut Allaman Dervishi kanë falënderuar përfaqësuesit e shoqatës dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për solidaritetin dhe respektin e treguar.

Efektivi i Policisë Rrugore, Allaman Dervishi, vdiq në spital në maj të vitit 2004, pasi ishte qëlluar me armë nga disa persona të cilët i kishte ndaluar për shkak se dyshohej se udhëtonin me makinë të vjedhur. Në atë ngjarje mbeti i plagosur edhe kolegu i Dervishit, Resmi Hasanpapaj, i cili edhe pse i mbijetoi plagëve, ka mbetur i paralizuar dhe lëviz me karrige me rrota.

A2 CNN Livestream

Dita jonë