
Lazio zhgënjen në Conference League, mposhtet nga Alkmaar
Duhej të ishte mbrëmja e Lazio, por italianët zhgënjyen. Bardhkaltërit u thyen 2-1 në shtëpi nga AZ Alkmaar, në sfidën e parë të 1/8 të ConferenceLeague.
Pedro në minutën e 26-të zhbllokoi ndeshjen, duke kaluar vendasit në avantazh. Rrjeta krijoi iluzionin e fitores së lehtë dhe kjo e dëmtoi Lazion.
AZ Alkmaar nuk u dorëzua dhe gjeti barazimin në fundin e pjesës së parë me Pavlidis, që realizoi golin e 18-të sezonal, teksa regjistron edhe 9 asist.
Goli i fitores së holandezëve u shënua nga Kerkez në të 62-ën, me ish-lojtarin e të rinjve të Milanit që e vendosi AZ Alkmaar në pozita mjaft komode për një vend në çerekfinalet e Conference League.
Pas nëntë ditësh, Lazio do të luajë gjithçka për gjithçka në trasfertë, për të mos e mbyllur përpara kohe aventurën europiane. Në sfidën e kthimit në Holandë do të nevojitet një mrekulli e vogël.