Berisha apo Alibeaj? Kreu i KQZ: Do të vlerësojmë kush e ka tagrin për regjistrim
Ka nisur këtë të enjte shqyrtimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve i dy kërkesave të bëra për regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet lokale të 14 majit. Një kërkesë është bërë nga Sali Berisha, ndërsa tjetra nga Lulzim Basha, i cili ka deleguar Enkelejd Alibeajn.
Celibashi u shpreh se do të shqyrtohen kërkesat dhe më pas do të vendoset se kush e ka tagrin për regjistrim. “Kemi dy kërkesa, një kërkesë vjen nga zoti Sali Berisha, që kërkon regjistrimin dhe një tjetër nga zoti Basha ku kërkohet regjistrimi i Partisë Demokratike. Ne jemi në proces shqyrtimi, ku do të vlerësojmë se kush e ka tagrin për ta paraqitur këtë kërkesë. Nuk është se jemi duke vendosur në këtë moment. Do të dëgjojmë këdo që bën kërkesën për regjistrim”, tha Celibashi.
Ndërkohë, Ledio Nuraj, përfaqësues i Partisë Demokratike, i cili ka dorëzuar kërkesën nga Sali Berisha, u shpreh se kërkesa është bërë sipas Kodit Zgjedhor.
“Jemi pas kërkesës së paraqitur për regjistrim nga Sali Berisha. Na ka mandatuar si përfaqësues të kësaj force politike. Ne kemi depozituar kërkesën për regjistrim në zgjedhjet lokale. Kemi depozituar të gjithë dokumentacionin sipas Kodit Zgjedhor. Ndër të tjera, doja të citoja para jush se PD është krijuar që në vitin 1990”.
Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i palës Alibeaj theksoi se këto kërkesa nuk kanë nevojë për diskutim publik, pasi sipas tij gjithçka është e qartë dhe i takon Celibashit të vendosë, pasi palës tjetër i mungon vendimi i gjykatës.