Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Organizimi për zgjedhjet e 14 majit, Rama mbledh kryesinë e Partisë Socialiste

Nga A2 CNN
9 Mars 2023, 09:28 | Politikë
Organizimi për zgjedhjet e 14 majit, Rama mbledh kryesinë e

Në selinë e Partisë Socialiste zhvillohet mbledhja e kryesisë, ku po diskutohet për organizimin e zgjedhjeve të 14 majit.

Socialistët ende nuk e kanë shpallur zyrtarisht listën e 61 kandidatëve për bashkitë në vend, edhe pse shumë emra janë konfirmuar për të kërkuar një tjetër mandat. Për t’u konfirmuar mbetet edhe lista për anëtarët e këshillave bashkiakë. PS-ja do të shkojë e vetme në zgjedhjet e 14 majit, pa asnjë koalicion.

Kjo mbledhje vjen vetëm një ditë pas turit të ambasadores amerikane në vend, Yuri Kim. Diplomatja amerikane fillimisht u ndal te selia e Partisë Socialiste ku u prit nga sekretari i përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri. Gjiknuri pohoi se në fokus të diskutimit ishin zgjedhjet, situata aktuale politike në vend dhe rekomandimet e ODIHR-it pas procesit të fundit elektoral.

“E garantova ambasadoren për vendosmërinë e Partisë Socialiste për të kontribuar aktivisht për një proces zgjedhor në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare”, u shpreh Gjiknuri.

Pas këtij takimi, ambasadorja Kim e zhvendosi agjendën e saj në kryesinë e Kuvendit, ku takoi kreun e grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeajn. “Në emër të PD-së garantova ambasadoren e SHBA-së për vullnetin e mirë tonin për t’u përfaqësuar denjësisht në këto zgjedhje duke zbatuar rekomandimet e ODIHR, duke ndarë me të shqetësime të ndryshme përfshirë dhe rolin e medias, para dhe gjatë fushatës elektorale”, deklaroi Alibeaj.

Në zyrat e partisë së Lirisë, ku u prit nga Ilir Meta, aleati i Sali Berishës. “Konfirmoj vullnetin e palëkundur të Partisë së Lirisë për të kontribuar për zgjedhje të lira, të ndershme dhe brenda standardeve europiane, që do t’i jepnin fund monizmit në pushtetin lokal, si dhe këmbënguljen e Partisë së Lirisë për denoncimin në të gjitha nivelet, të korrupsionit qeveritar dhe lokal”, tha kreu i PL-së.

Meta vuri në dukje se korrupsioni endemik po thellohet dhe se sipas tij ka një rëndim të mëtejshëm të gjendjes lidhur me pastrimin e parave, narkotrafiqeve dhe veprimtarisë kriminale në vend. Në këtë kuadër, ai përshëndeti veçanërisht angazhimin e fokusuar të DEA-s në Shqipëri, lidhur me veprimtarinë e narkotrafikut dhe problemet kritike që lidhen me të, si një hap i duhur dhe i shumëpritur.

Ndërsa vetë ambasada amerikane në Tiranë, njoftoi se takimi kishte në fokus zgjedhjet vendore të 14 majit, teksa ambasadorja Kim u kujtoi përfaqësuesve të PS-së PD-së dhe PL-së rekomandimet e vëzhgimet e ODIHR-it.

Kim ka bërë apel që të parandalohet çdo formë presioni për të zbuluar si kanë votuar njerëzit, të hetohen raste e blerjes së votës dhe të garantohet siguria e të dhënave personale të qytetarëve.

“Shteti duhet të garantojë të drejtën për të zgjedhur lirisht dhe në fshehtësi. Çdo formë presioni për të zbuluar nëse dhe si kanë votuar njerëzit duhet të parandalohet. Agjencitë ligjzbatuese duhet të intensifikojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e blerjes së votës. Qytetarët duhet të nxiten të raportojnë dhe të japin fakte për çfarëdo blerje votash apo presioni.

Shqipëria duhet të garantojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve. Institucionet përkatëse duhet të hetojnë tërësisht dhe të ndëshkojnë çdo shkelje që ndikon në besimin e publikut në procesin zgjedhor”.

Sipas Kim duhet të ndryshohet “legjislacioni për të siguruar që mediat të jenë në gjendje të mbulojnë në mënyrë të pavarur aktivitetet e konkurruesve në zgjedhje me synimin për të kufizuar përdorimin në lajme të materialeve të prodhuara nga partitë”.

Drejtuesit e partive konfirmuan gjithashtu se do të shqyrtojnë kandidatët përkatës për t’u siguruar që ata përmbushin kërkesat e ligjit, si dhe pritshmëritë e votuesve shqiptarë për kandidatë të pastër.

https://a2news.com/2023/03/08/te-parandalohet-presioni-te-hetohet-blerja-e-votes-te-sigurohen-te-dhenat-personale-zbardhen-takimet-e-yuri-kim-me-perfaqesuesit-e-politikes/
https://a2news.com/2023/03/08/berisha-reagon-pas-takimeve-te-yuri-kim-eshte-nje-mc-gonigal-me-fustan-nuk-ka-moral-te-flase-per-zgjedhjet/

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani