
Jorgji nuk i kursen kartonët në Conference League
Fiorentina shpërdoroi më tepër nga sa duhej, por regjistroi një fitore të rëndësishme përballë Sivasspor në ndeshjen e parë të 1/8 të Conference League.
Pas rasteve të shumta të pjesës së parë, që nuk u konkretizuan, italianët zhbllokuan rezultatin në të 69-ën me Barak. Një gol që e vendos Fiorentinën në pozita të avantazhuara, megjithatë çështja e kualifikimit mbetet ende e hapur.
Skuadra që do të sigurojë biletën në çerekfinalet e Conference League do të përcaktohet në sfidën e kthimit në Turqi, që do të luhet më 16 mars.
Sfida në “Artemio Franchi” kishte si protagonist edhe arbitrin Enea Jorgji. Edhe pse përballja ishte mjaft e vështirë për t’u menaxhuar, bilbili shqiptar tregoi personalitet, duke ndëshkuar shtatë lojtarë me kartonë të verdhë, ndërsa në minutën e katërt shtesë ndëshkoi me të kuq Gradel të Sivasspor.
Fitore me aromë kualifikimi regjistroi West Ham në fushën e AEK Larnaca. Gjithçka e hapur në sfidat e tjera të mëdha, ku Anderlecht dhe Villarreal barazuan 1-1, teksa Basel u ndal në shifrat 2-2 në shtëpi nga Slovan Bratislava.