Të ndërtuara një shekull më parë, urat metalike në Gjirokastër kanë probleme me sigurinë
Urat metalike në qarkun e Gjirokastrës, që lidhin akset rrugore që janë në varësi të Autoritetit Rrugor Shqiptar, janë kthyer në një shqetësim sa i takon qëndrueshmërisë dhe sigurisë së tyre. Inxhinieri i ARRSH në Gjirokastër tregon për problematikat që mbartin këto ura.
“Administrojmë 2 ura të mëdha metalike që janë me një moshë shumë të madhe, afërsisht 100-vjeçare, të cilat janë ura e Leklit dhe e Dragotit”, thotë për A2 CNN Aristotel Noni, inxhinier i ARRSH, Gjirokastër. “Këto ura janë me konstruksion metalik dhe janë ndërtuar rreth viteve 1930. Aktualisht, konstruksioni është i amortizuar, probleme ka edhe me mbështetjet dhe pjesën e pilave”.
Pavarësisht ndërhyrjeve dhe riparimeve të pjesshme të kryera ndër vite, problematikat mbeten deri në zgjidhjet përfundimtare. “Me kalimin e kohës duhet të vijë një moment që këto ura të zëvendësohen ose me ura të reja, ose të bëhet aks i ri Tepelenë-Dragot, për t’i devijuar këto ura”, thotë Noni.
Në qarkun e Gjirokastrës ka edhe disa ura të tjera të vjetra në zonat rurale që janë problematike, por që u takon pushtetit lokal që i ka në pronësi për t’i kontrolluar dhe marrë masat paraprake.