
197 milionë euro për sulmuesin, PSG përgatit super ofertën
1,3 miliardë euro të shpenzuara për të arritur vetëm një herë në finalen e Champions në 9 vjet. E megjithatë Paris SG nuk dorëzohet dhe kërkon të reagojë menjëherë pas zhgënjimit të radhës në kupat e Europës.
Pas eliminimit në 1/8-at e Champions, sheikët që drejtojnë klubin francez janë gati të shpenzojnë të tjera miliona në merkato. Sipas mediave franceze, projekti i ri do të shoqërohet me revolucion në merkato.

Leo Messi mund të largohet, ashtu si Neymar dhe Sergio Ramos. Kjo bën që në qendër të projektit të jetë Kylian Mbappé. Për të garantuar një repart sulmues të frikshëm, objektivi kryesor në merkato është Erling Haaland. Ylli i Manchester City po thyen çdo rekord në Premier League, ku në sezonin e parë ka shënuar 28 gola në 26 ndeshje.
Për të siguruar bomberin norvegjez, Paris SG është gati të paguajë 197 milionë euro. Në ëndrrat e Al Khelaifi-t është çifti i sulmuesve më të fort për momentin në botë. Por, pikëpyetja lidhet me faktin a do të mjaftojë shpenzimi i radhës milioner për të triumfuar në Champions?!