Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Berisha: Vuçiç është një ultranacionalist i verbër serb, nuk lejon asociacionin e komunave shqiptare

Nga A2 CNN
13 Mars 2023, 12:36 | Politikë
Berisha: Vuçiç është një ultranacionalist i

Sali Berisha akuzoi Presidentin serb, Aleksandar Vuçiç se është një ultranacionalist që nuk respekton asnjë parim të Kushtetutës së vendit të tij, të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. “Në një deklaratë të papërgjegjshme, kërkesës së shqiptarëve në Serbi, për një asociacion të komunave shqiptare, iu është përgjigjur me një deklaratë që do ta kishte lakmi edhe Gëbelsi po të ishte gjallë.

Ai, të drejtën e qytetarëve të lirë kudo në Europë, për të pasur në përputhje me Kushtetutën e vendit të tyre, e quajti marrëzi”, tha Berisha në një konferencë për mediat të hënë.

“Marrëzi nuk mund të jetë kurrë e drejta e qytetarëve për asociacion. Nuk mund të pretendosh kurrë për një standard për bashkëkombësit e tu, të cilin nuk ua njeh qytetarëve të etnive të tjera. Të gjithë pakicat mund të kenë shoqatat e tyre në përputhje me Kushtetutën, por Vuçiç e quan marrëzi këtë sepse përdor metodat më të dënueshme spastrimit në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Përdor metodat e çregjistrimit të detyruar, sa herë që postieri u troket në derë dhe nuk gjen njeri për të marrë lekët, paçka se i zoti i shtëpisë u vjen në dyqan duke bërë pazare. I çregjistron nga Gjendja Civile në mënyrën më absurde. Por regjistri më i fundit dëshmoi se në këto komuna u regjistruan 130 mijë. Po të mos kishte manipuluar në mënyrë të paskrupullt dhe po të mos kishte ndjekur politika të qarta të spastrimit etnik të shqiptarëve, ky numër sot do të shkonte 170 deri në 200 mijë”.

Berisha i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos bëjë lëshime ndaj Vuçiçit. “Dënoj qëndrimin e tij. Dënoj gjithashtu deklaratat se në kuadrin e tij në rajonet e Serbisë, do vizitojë Kosovën. Këto janë deklarata që rrisin tensionet në rajon. Të gjitha këto deklarata bëhen në prag të një ngjarje shumë të rëndësishme, datës 18 mars, takimit që zhvillohet në Ohër për firmosjen e planit franko-gjerman, i cili ka marrë mbështetjen më të gjerë ndërkombëtare, por edhe rajonale. Të cilin kryeministri i Kosovës e ka miratuar plotësisht, por nuk e ka firmosur presidenti i serbomadhisë dhe tani nxjerr teori pas teorie. Kërkon duke i mohuar një etnie në vendin e tij të drejtën për asociacion. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të qëndrojë fort ndaj këtij autokrati serbomadh. Mbështes krijimin e asociacionit në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Me politikat e tij, Vuçiç është gjeneratori kryesor i tensioneve në rajon”, tha Berisha.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani