Duhet të ishte në arrest shtëpie, pronari i lokalit të sulmuar me armë, Fatjon Murati, dyshohet se është larguar nga Shqipëria

Nga A2 CNN
13 Mars 2023, 11:19 | Kronikë
Duhet të ishte në arrest shtëpie, pronari i lokalit të

Fatjon Murati, pronari i lokalit ndaj të cilit u qëllua me breshëri automatiku të dielën në mbrëmje, duke vrarë banakieren dhe plagosur 5 të rritur dhe 1 fëmijë të mitur, duket se është larguar nga Shqipëria.

Murati duhet të ishte në banesë pasi ndaj tij ishte dhënë masa e sigurisë “arrest shtëpie” për veprën penale “armëmbajtje pa leje”. Por pas ngjarjes së rëndë në zonën e “Don Boskos”, efektivët e policisë që kanë shkuar në shtëpinë e tij, që ndodhej pranë lokalit, nuk e kanë gjetur aty. Gazetari i A2 CNN, Armand Bajrami, raportoi se dyshohet që ai është larguar fillimisht drejt Kosovës e më pas në një shtet tjetër.

Masa e sigurisë “arrest në burg” për Fatjon Muratin për akuzën e “armëmbajtjes pa leje” është zbutur në dhjetor të vitit të kaluar në “arrest në shtëpi” nga Gjykata e Tiranës. Më herët Apeli kishte refuzuar ndryshimin e masës “arrest në burg”. Dosja ndaj tij ndërkohë kishte kaluar për gjykim, ku ishte pranuar gjykimi i shkartuar dhe ishte shtyre seanca për pretencën e prokurorisë.

Fation Murati u arrestua në tetor të vitit të kaluar pasi ndaj tij kishte nisur një procedim penal për posedim armësh, bashkë me një tjetër person. Ai u ndalua teksa po udhëtonte me Indrit Doklen, një tjetër personazh të botës së krimit.

Por Murati është edhe një nga personat që dyshohen si të përfshirë në atentatin e trefishtë të ndodhur në Krujë vitin e kaluar, ku mbetën të vrarë Diklen Vata, Besmir Hoxha dhe Brilant Martinaj, kushëri i Ervis Martinajt.  Indirit Dokle është liruar nga burgu në janar të vitit 2020. Sipas dëshmisë të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, Ervis Martinaj kishte paguar një shumë rreth 500 mijë euro për të ekzekutuar pikërisht Doklen.

Murati ka një “CV” të pasur kriminale, kryesisht në Itali:

Më datë 31.10.2015 për evazion nga masa alternative në burg, nëpërmjet masës së vendosur nga Gjykatësi për Hetimet Paraprake të Gjykatës së Trevizos;

Më datë 07.11.2015 Gjykata e Trevizos ka urdhëruar arrestimin dhe paraburgimin në burg për veprën penale të “Pranimit të mallrave të vjedhura”, “Posedim abuziv të armëve”, “Trafikim të lëndëve narkotike”;

Më datë 26.04.2016 Gjykata e Venecias ka urdhëruar arrestimin dhe paraburgimin në burg për veprën penale të “Pjesëmarrjes në krime”; dhe

Më datë 26.07.2017 në përfundim të aktivitetit të quajtur “Cosmopolis” në kuadër të procedimit penal pranë autoriteteve gjyqësore të Padovas, është raportuar për veprën penale të “Trafikimit të kokainës”.

https://a2news.com/2023/03/13/sulmi-me-arme-ne-lokalin-e-fatjon-muratit-gjendet-nje-makine-e-djegur-me-dy-kallashnikov-ne-bubq/

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli