Masakruan të burgosurin shqiptar, arrestohen 4 policë në Greqi

Publikuar më: 13/3/2023, ora 18:34
policia ne greqi greke

Masakruan të burgosurin shqiptar, arrestohen 4 policë në Greqi

Publikuar më: 13/3/2023, ora 18:34

Katër efektivë policie u vunë në pranga në Greqi, pasi u vërtetua se kanë ushtruar dhunë mizore ndaj një të burgosuri shqiptarit.

Sipas Zërit të Amerikës, e cila citon Ministrinë e Mbrojtjes në Greqi, 4 pjesëtarët e policisë zyrtarisht janë vënë në akuzë për torturë dhe fyerje të dinjitetit njerëzor, vepër penale kjo e kryer në bashkëpunim.

“Siç rezultoi nga hetimi, të arrestuarit , një oficer, 2 policë dhe roja speciale, të ngarkuar me përgjegjësinë e ruajtjes dhe transferimit të të burgosurve në institucionin e vuajtjes së dënimit , kanë kryer akte rrahjeje dhe torture ndaj një të burgosuri të huaj”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Mediat greke që kanë dhënë detaje për këtë ngjarje raportojnë se i burgosuri shqiptar, i dënuar për drogë dhe grabitje u dhunua nga policët teksa po transferohej nga Selaniku drejt burgut të sigurisë së lartë të Koridhalosit.

I burgosuri shqiptar ka dëshmuar se kur po transferohej është goditur brutalisht në kokë nga policët, dhe ndonëse ka kërkuar ujë gjatë rrugës nuk i është dhënë. Po ashtu për këtë ngjarje kanë dëshmuar dhe të burgosurit e tjerë që ndodheshin në makinën e burgut.