Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Regjistrimi i PD në zgjedhjet e 14 majit, KAS nuk pranon shqyrtimin e ankimimeve

Nga A2 CNN
13 Mars 2023, 10:21 | Politikë
Regjistrimi i PD në zgjedhjet e 14 majit, KAS nuk pranon shqyrtimin e

Në seancën paraprake, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi të mos pranojë ankimimet e grupimit Alibeaj dhe Rithemelimit për regjistrimin e Partisë Demokratike në Zgjedhjet e 14 majit.

Anëtarët e KAS pretendojnë se kjo strukturë nuk mund të shqyrtojë këto dy kërkesa pa pasur një vendim përfundimtar të Kryekomisionerit.

Celibashi i ka kërkuar demokratëve të Alibeaj që të sjellin dokumente shtesë për regjistrimin e PD në vendore, me argumentin që duhet të ketë një deklaratë përgjegjësie nga kryetari Lulzim Basha. Kësaj kërkesë, përfaqësuesi ligjor në KQZ është shprehur se nuk do të sjellin asnjë dokument shtesë, me argumentin se dihet botërisht që Basha ka dhënë dorëheqjen.

Në përfundim të shqyrtimit paraprak, KAS vendosi mos kalimin për shqyrtim të kërkesës ankimore nr. 29, të depozituar nga Partia Demokratike, z. Sali Berisha.
KAS konstatoi se ankuesi nuk legjitimohet sepse nuk ka interes të ligjshëm në një çeshtje që i përket një kërkuesi tjeter dhe KAS-i nuk ka kompetence për shqyrtimin e ankesës, pasi KSHZ nuk është shprehur me vendim përfundimtar për kërkesen e ankuesit.
KAS vendosi kalimin për shqyrtim në seancë publike në datën 14.03.2023, në orën 09:00, të kërkesës ankimore nr. 30 depozituar nga Partia ‘Lëvizja Bashkë.
Gjithashtu, KAS vendosi të mos kalojë për shqyrtim kërkesën ankimore nr. 31 të depozituar nga Partia Demokratike, z. Enkelejd Alibeaj.
KAS konstatoi se: “Vendimi i Komisionerit nr. 158, datë 09.03.2023 është vendim i ndërmjetëm. Ai nuk i ka dhënë zgjidhje në themel kërkesës me nr. 1337 Prot., datë 06.03.2023. Komisioneri e ka detyrim ligjor që të shprehet me vendim për pranimin ose rrëzimin e saj. KAS-i është instancë e ankimit administrativ dhe jo instancë e shqyrtimit fillestar të kërkesave. KAS-i nuk mund të ushtrojë kompetenca, të cilat nuk i janë ngarkuar shprehimisht nga ligji. Kjo do të thotë se ai nuk mund të shprehet për themelin e kërkesave, pa u shprehur më parë Komisioneri si organ kompetent për shqyrtimin dhe zgjidhjen e tyre. KAS-i nuk ka kompetencë “për urdhërimin e regjistrimit si subjekt zgjedhor të “Partisë Demokratike të Shqipërisë”” si instancë fillestare, sikurse i kërkohet nga ankuesi”.

Vendimi i KAS

Më herët KAS refuzoi kërkesën e bërë nga përfaqësuesi i Sali Berishës, Ledio Nurja, i cili kishte kërkuar përjashtimin e Ledio Brahos nga shqyrtimi i kërkesës së Rithemelimit.

Relatori i kërkesës së Rithemelimit është ish-ministri i Berishës, Ilirjan Rusmali. Ndërsa Koli Bele është relatori i kërkesës ankimore të Enkelejd Alibeajt, i cili çoi në KAS vendimin e Celibashit për mosregjistrimin e PD-së.

Roli i KAS

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) është organi kompetent për shqyrtimin e ankimimeve administrative dhe për vendosjen e sanksioneve për shkeljet e ligjit zgjedhor. KAS shqyrton dhe zgjidh në rrugë administrative ankesat ndaj akteve të Komisionerit dhe KZAZ-ve. Me kërkesë të Komisionerit vendos masat disiplinore ndaj zyrtarëve zgjedhorë apo  sanksione administrative kundër personave/ subjekteve zgjedhore që kryejnë kundërvajtje administrative në lidhje me zgjedhjet.

Anëtarët e KAS: Elvin Lako, Elvis Çefa, Ilirjan Rusmali, Koli Bele, Ledio Braho.

A2 CNN Livestream

Dita jonë