
Tërhiqet BBC, Linker do të vazhdojë të drejtojë emisionin sportiv
Gary Lineker kthehet në televizion, për programin e tij të përjavshëm sportiv, pasi BBC anuloi vendimin për ish-lojtarin e famshëm anglez. Vetëm pak ditë më parë, ai kritikoi në rrjetet sociale politikat e reja të qeverisë angleze rreth emigracionit, duke e krahasuar fjalorin e përdorur me atë të Gjermanisë naziste.
Televizioni publik anglez e anuloi pezullimin, për shkak të solidaritetit të kolegëve të tij të sportit. Në fakt, programacioni i fundjavës që kaloi në BBC u anulua thuajse i gjithi, për shkak të protestës së komentatorëve, analistëve dhe ish-futbollistëve, në mbështetje për Linekerin.
Lineker, një prej futbollistëve më të mëdhenj që kanë luajtur me kombëtaren e Anglisë, e quajti gjuhën me të cilën u prezantua projektligji – sipas të cilit do t’u refuzohet azili atyre që hyjnë në vend ilegalisht – “jo shumë të ndryshme nga ajo e përdorur në Gjermaninë e viteve 1930”.
Reagimi i ish-sulmuesit të Barcelona dhe Tottenham u kritikua nga politikanët konservatorë në Britaninë e Madhe. Ministrja e Brendshme, Suella Braverman, personi që prezantoi draftin, tha se ishte e zhgënjyer nga fjalët e Lineker.
“Ne marrim më pak refugjatë se çdo shtet tjetër i madh europian. Kjo është një qasje mizore ndaj njerëzve më vulnerabël, në një gjuhë jo shumë të ndryshme nga ajo që përdorej në Gjermani në vitet 1930”, shkroi Lineker duke iu referuar një videoje të ministres Braverman, ku ajo përdorte shprehe si “u mbush kupa” apo “duhet të ndalim varkat”.
Në vitet të cilave iu referohet Lineker, në Gjermani ishin ngjitur në pushtet nazistët, të cilët nisën të miratonin ligje të diskriminimit racor në vend.