Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Bizneset u shmangen taksave, borxhi i keq ndaj tatimeve arriti në 1.3 mld euro vitin e shkuar

Nga A2 CNN
14 Mars 2023, 18:37 | Ekonomi
Bizneset u shmangen taksave, borxhi i keq ndaj tatimeve arriti në 1.3 mld

Bizneset krijuan mbi 160 milionë euro borxhe të reja ndaj tatimeve vetëm vitin e shkuar. Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se në total sipërmarrjet shqiptare i detyrohen për taksat e pashlyera në kohë plot 146.8 miliardë lekë, në fund të 2022-it, apo gati 1.3 miliardë euro, nga 134.9 miliardë që ishte fatura në fund të vitit 2021.

Për eksperten kontabël Elisabeta Katia, kjo situatë vjen sa nga pamundësia e bizneset për të paguar detyrimet, aq edhe nga paaftësia e administratës për të parandaluar përpjekjet për shmangie tatimore nga sipërmarrjet.

“Të gjendet arsyeja në radhë të parë se ku akumulohet ky borxh dhe për çfarë lloj tatimi akumulohet ky borxh dhe te cili sektor. Duke pasur këtë logjikë të akumulimit të borxhit mund të ndërmerren masa sensibilizuese dhe parandaluese ndaj borxhit tatimor”, tha Katia.

Pjesa më e madhe e këtyre detyrimeve, 61 për qind janë borxh faktik, 34 për qind penalitete dhe 5 për qind kamatëvonesa si pasojë e mos kryerjes në kohë të pagesave. Por teksa qeveria synon të falë evazionin përgjatë viteve me anë të amnistisë fiskale, a ka vend edhe për faljen e detyrimeve të lindura nga penalitetet dhe kamatëvonesat?

“Politikat lehtësuese janë shumë më favorizuese për biznesin se sa amnistia apo forma të tjera që deformojnë tregun”, shton Katia.

Të dhënat nga “tatimet” tregojnë se 65 për qind e totalit të borxhit të keq me vlerë 104.3 miliardë lekë apo mbi 900 milionë euro është krijuar nga biznese që kanë shpallur falimentin apo kanë kaluar në status pasiv.

Në kushtet që mbledhja e këtyre detyrimeve bëhet gati e pamundur, ekspertët vlerësojnë si mënyrën më të efektshme për uljen e borxhit tatimor, bashkëpunimin mes institucioneve dhe sipërmarrjeve.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu