Partizani paguan gjobën, ndaj Vllaznisë me tifozë

Publikuar më: 14/3/2023, ora 12:42
TIFOZET PRAG PARTIZANI VLLAZNIA frame 1279 1280x720

Partizani paguan gjobën, ndaj Vllaznisë me tifozë

Publikuar më: 14/3/2023, ora 12:42

Partizani-Vllaznia do të luhet me tifozë. Supersfida e kthimit në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë mund të jetë vendimtare për sezonin e të kuqve, që duke vlerësuar peshën e përballjes vendosi të konvertojë në pagesë monetare dënimin e fushës.

Pas episodeve në derbin me Tiranën, Partizani u dënua nga Disiplina me zhvillimin e dy ndeshjeve pa tifozë. Sipas rregullores, pas shlyerjes së gjysmës së dënimit, në ndeshjen e kampionatit në Shkodër, kryeqytetasit aktivizuan rregullin ku pjesa e mbetur mund të paguhet në formë gjobe.

Njoftimi është dhënë nga klubi, që theksoi se “takimi me Vllazninë do të zhvillohet me publik, pas shlyerjes financiare të gjysmës së mbetur të dënimit”. Vendimi është marrë për “ti dhënë mundësi tifozerisë së kuqe të jetë prezente në mbështetje të skuadrës”.

Partizani do të ndeshet me Vllazninë këtë të mërkurë, në “Kompleksin Partizani”, duke nisur prej orës 16:00. Sfida e parë në Loro Boriçi përfundoi me fitoren 3-1 të shkodranëve dhe ekipit të Colella-s i nevojitet një përmbysje e madhe, për tu kualifikuar në gjysmëfinale.

Me të kuqtë që janë edhe në luftën për titull, ëndrra e madhe e tifozëve është fitimi i të dy trofeve në këtë sezon.