Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Pentagoni kërkon para për armë bërthamore, nëndetëse dhe luftë hapësinore, buxheti astronomik shumë shpejt kap 1 trilion dollarë!

Nga A2 CNN
14 Mars 2023, 12:22 | Bota

Pentagoni kërkon nga Kongresi amerikan plot 842 miliardë dollarë për vitin 2024. Ky është propozimi i bërë nga “ministria e Mbrojtjes” e Shteteve të Bashkuara për vitin e ardhshëm, si pjesë e kundërpërgjigjes amerikane për mbrojtjen nga kërcënimi kinez.

Nëse miratohet, ky do të jetë buxheti më i madh në historinë e vendit, në kohë paqeje.

Në “faturën” prej 842 miliardë dollarësh përfshihen 11 miliardë dollarë shpenzime për armë hipersonike, 37,7 miliardë për modernizimin e arsenalit bërthamor dhe një investim gjigant në punë kërkimore dhe zhvilluese për të parandaluar dhe minimizuar kërcënimet e kundërshtarëve si Kina dhe Rusia.

Gjithashtu, në buxhet kërkohet të përfshihet një shumë prej 6,2 miliardë dollarësh për një nëndetëse e klasit “Columbia” me armë balistike, 28,8 miliardë dollarë për sisteme mbrojtjeje antiraketorë, një investim për “luftën në hapësirë” dhe 1,5 miliardë para “cash” për të fuqizuar mbrojtjen në Guam dhe Havai, ndërkohë që Kina shton kërcënimet kundër Tajvanit.

Në buxhet është përfshirë edhe një fond prej 38 miliardë dollarësh për të blerë nëndetëse të reja bërthamore, futja në përdorim e bombarduesit të ri B-21 dhe prodhimi i rekatave të reja balistike ndërkontinentale. Në buxhet nuk është përfshirë asnjë zë për të ndihmuar Ukrainën në luftën kundër Rusisë, pasi sipas zyrtarëve ato do të përftohen përmes fondeve shtesë që do të duhet të miratohen nga Kongresi sipas kërkesës.

Të hënën, Mike McCord, kryefinancieri i Pentagonit tha se me këto ritme, brenda 5 vitesh buxheti vjetor i ushtrisë do të kalonte 1 trilion dollarë. “Ndoshta do të jetë një moment vendimtar për shumë prej nesh, por është e pashmangshme”, tha ai.

Ky është buxheti më i madh i propozuar nga Pentagoni që prej kulmit të luftës së Irak dhe Afganistan në mes të viteve 2000.

Edhe pse shifrat mund të duken astronomike, buxheti i propozuar përbën në fakt vetëm 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shteteve të Bashkuara. McCord tha se, për krahasim, gjatë luftës II Botërore, për ushtrinë shkonte rreth 30% e GDP-së.

Buxheti është pjesë e një pakete të re shpenzimesh të propozuara nga administrata Biden javën e kaluar, që kap vlerën e 6,8 trilionë dollarëve. Republikanët, të cilët kanë shumicën në Kongres, kanë paralajmëruar se do të hedhin poshtë paketën në total, por ende nuk kanë dalë me një qëndrim lidhur me buxhetin e ushtrisë.

https://a2news.com/2022/12/03/pentagoni-prezanton-avionin-e-ri-bombardues-b-21-raider/
https://a2news.com/2023/02/26/ne-lufte-detare-fiton-ai-qe-ka-me-shume-anije-marina-kineze-disa-here-me-e-forte-se-ajo-amerikane/
https://a2news.com/2023/03/12/shba-armatos-per-here-te-pare-deri-ne-dhembe-bishen-e-detit/

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani