Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Varhelyi për A2 CNN: Amnistia fiskale, BE mbështet formalizimin e ekonomisë, por ka vija të kuqe

Nga A2 CNN
17 Mars 2023, 18:13 | Politikë
Varhelyi për A2 CNN: Amnistia fiskale, BE mbështet formalizimin e

Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, intervistë për Merita Haklajn në A2CNN.

Merita Haklaj: Këshilli i 12-të i Stabilizim Asociimit u mblodh në Tiranë. Kjo është hera e parë që mblidhet jashtë Brukselit dhe pason po ashtu një tjetër herë të parë, atë të samitit të liderve të BE, që po ashtu u mblodh në Tiranë 6 dhjetorin e vitit të kaluar. Cilat janë qëllimet e unionit, mesazhet që kërkon të përcjellë me akte të tilla.

Komisioneri Oliver Varhelyi: Mendoj se nëse do të doja ta thosha fare thjesht, mesazhi është që Tirana është vendi i duhur, pasi Tirana e ka nxitur agjendën evropiane si kurrë më parë. Në Ballkan kjo po bëhet gjithnjë e më e dukshme dhe jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë. Pra, mesazhi me të cilin erdhëm është që pas samitit të Tiranës, jemi tani këtu për të parë progresin e bërë nga Shqipëria në rrugën e saj evropiane dhe lajmet janë të mira, ka progres. Vitin e kaluar patëm Konferencën e parë Ndërqeveritare, këtë vit shpresoj që të bëjmë hapin tjetër me negociatat e anëtarësimit. Pra, bëmë një vlerësim, pamë çfarë kemi përpara dhe pata një sërë takimesh mjaft dinamike këtu. Ishin vërtet takime të mira, sepse kemi parë shumë arritje, të cilat i mbuluam vitin e kaluar, dhe këtë vit pritet edhe më shumë.

Merita Haklaj: Megjithatë dy nisma të qeverisë shqiptare ishin të debatueshme. Qeveria Rama u tërhoq nga Pasaportat e Arta, por nuk është tërhequr nga Amnistai Fiskale, dhe beson se me ndihmën e ekspertëve të BE do të mund të arrijë atë mision të kahershëm që ka qeveia e tij për një amnisti fiskale në vend. Ju besoni se na duhet një amnisti e tillë në Shqipëri?

Komisioneri Oliver Varhelyi: Kolegët tanë po punojnë së bashku me administratën këtu në Tiranë. Siç e kuptojmë ne mendimin e qeverisë është se ende një pjesë e konsiderueshme e ekonomisë punon në sektorin informal dhe sigurisht që për çdo vend kandidat është me rëndësi të jashtëzakonshme ta legalizojë të gjithë ekonominë. Ndaj, kemi nevojë për masa që ta shndërrojnë ekonominë informale në ekonomi të ligjshme. Për këtë mund të ndërmerren shumë veprime. Një prej tyre është të mendohet për asetet që janë aktualisht jashtë dhe sigurisht ne po shohim mënyrat se si qeveria po i shqyrton këto veprime. Ajo çka është shumë e qartë për ne, gjë që e kemi diskutuar edhe me kryeministrin dhe delegacionin e tij, është që sigurisht pajtohemi me synimin, që është shndërrimi i ekonomisë informale në ekonomi të ligjshme, por duhet të sigurohemi se çdo veprim i ndërmarrë të përputhet me rregullat që kemi në Bashkimin Evropian, por edhe në FATF dhe në Moneyval, të cilat garantojnë se nëse ka veprime të tilla, ato të bëhen në një mënyrë ligjërisht të shëndetshme. Jemi ende duke shqyrtuar opsionet e ndryshme dhe shpresoj të gjejmë zgjidhjet e duhura teknike në mënyrë që të bëjmë një hap për çrrënjosjen e ekonomisë informale dhe ta reduktojmë edhe më shumë.

Merita Haklaj: Duke qenë se pastrimi i parave është shqetësimi juaj lkryesor në aaspekt dhe duke qenë se në fazën e hapjes së negociatve monitorimi i BE është më i fortë dhe më i pranishëm në të gjitha hakllat e qeverisë shqitare, a besoni se mund të arrijmë me këta mekanizma që ju përmendi të adrersohet dhe ky shqetësim juaji kryesor në kuadër të aministrisë?

Komisioneri Oliver Varhelyi: Mendoj se ka mënyra të shëndetshme për ta bërë që ne duhet t’i gjejmë. Ka sigurisht vija të kuqe të rëndësishme që duhen respektuar nëse duhen respektuar rregullat dhe normat tona. Dhe ne sigurisht që do të këmbëngulim për këtë, por mendoj se është e mundur, kemi parë shembuj në të kaluarën, por duhet bërë me mënyrën e duhur dhe na duhet ende të punojmë për këtë. Këto janë çështje shumë të ngatërruara, edhe teknikisht, prandaj kemi nevojë për më shumë kohë, por shpresoj se ashtu si në çdo rast të mëparshëm, gjithmonë do të arrijmë një marrëveshje me qeverinë e Shqipërisë, duke u siguruar që ajo që po ndodh në Tiranë do të jetë në përputhje me rregullat dhe normat tona.

Merita Haklaj: Lufta në Ukrainë duket se shërbeu si një kambanë e fortë në BE edhe për t'i kthyer sytë më fort nga rajoni ynë. Pas shumë zvarritjesh u hapën negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Po ashtu po këmbëngulet fort për një marrëveshje Kosovë-Serbi, mbi planin franko-gjerman. A tregon kjo që shpesh vendimmarrjet në BE janë politike, varësisht rrethanave gjeostrategjike apo gjeopolitike; në varësi të asaj çfarë BE i leverdis në situata të caktuara dhe jo sipas asaj që bëjmë ne në vendet e rajonit tonë.

Komisioneri Oliver Varhelyi: Kjo tregon se ka jo vetëm sinqeritet, por edhe një vullnet të fortë politik për ta futur sa më shpejt Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian. Por kjo nuk do të thotë se ka ndonjë lëshim apo rrugë të shkurtër në lidhje me kushtet për t’u bërë shtet anëtar. Kështu që nëse dua ta përkthej këtë me perspektivën këtu në Tiranë, sa më shpejt që Tirana të japë rezultate, aq më shpejt mund të bëhet shtet anëtar, sepse nga ana jonë, ashtu siç e thatë edhe ju, kjo ishte një thirrje e qartë për zgjim, madje edhe për ata që kanë qenë skeptikë në lidhje me zgjerimin e mëtejshëm. Është shumë e qartë se pa zgjerim të mëtejshëm siguria, paqja dhe stabiliteti i gjithë kontinentit nuk është i mundur. Prandaj, Bashkimi Evropian ka një interes mjaft egoist për ta pasur Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të krijojë siguri, paqe dhe stabilitet afatgjatë për veten.

Merita Haklaj: Po thoni që vendet anëtare të BE duhet t’u besojnë më shumë raporteve të Komisionit Europian...nuk duhet të jenë skeptike në vende të caktuara?

Komisioneri Oliver Varhelyi: Po, sigurisht. Komisioni është aty për të ofruar një analizë të shëndoshë të nivelit të përgatitjes. Por Komisioni Evropian është aty edhe për të propozuar zgjidhje strategjike, kur të krijohen kushtet e duhura, ashtu siç bëmë vitin e kaluar me statusin e vendit kandidat për Bosnje-Hercegovinën. Mendoj se ky vit do të ketë edhe më shumë zgjidhje strategjike.

A2 CNN Livestream

Dita jonë