Sportet ujore në Shqipëri
Sportet ujore nuk janë shumë të përhapura në Shqipëri por për disa, janë pasioni i tyre më i madh. Ndodhemi në vendin e quajtur “Rana e Hedhun” në Shëngjin aty ku një grup të rinjsh kanë zgjedhur këtë ditë me diell për të praktikuar këto sporte.
Sportet Ujore po lulëzojnë dhe në Shqipëri me ritme të shpejta. Albanian Water Sports organizon thuajse çdo fundjavë aktivitete ku marrin pjesë të rinj e të reja që i bashkon pasioni për sportet e ujit. Patjetër që një udhëtim i tillë është sfidues dhe kërkon një përgatitje të mirë fizike për të gjithë ata që marrin pjesë.
Gjithçka filloi nga bregdeti i Shëngjinit ku skuadra nisi aventurën e saj. Duke kaluar cep më cep deri në ishullin e Franc Jozefit në Velipojë. Distanca që u përshkrua ishte rreth 22.2 kilometra ndërsa u shoqërua me një ndalesë të shkurtër në vendin e quajtur Rana e Hedhun. Lisi, Deni Arbi dhe Erblini janë 4 miq që e kanë kthyer këtë sport në hobin e tyre dhe e praktikojnë Stand Up Paddling të paktën një herë në javë.
Që nga Stand Up Paddling, tek Windsurf, apo Kanoe, çdokush mund ta zgjedhë vetë të preferuarin e tij ndonëse shkalla e vështirësisë ndryshon sipas disiplinës.
Ata i shohin sportet ujore si një kohë relaksi dhe ftojnë të gjithë të rinjtë t’i bashkohen për të provuar një eksperiencë të paharrueshme.
Edhe kryetari i shoqatës Albanian Water Sports, Ilir Ciko tregon se të praktikosh sportet e ujit është një sfidë më vetë por përfitimet që merr nga to janë të shumta.
Mes të tjerash Ciko tregon se ky sport nuk ka limite, çdo kush që ka dëshirë të behet pjesë është i lirë të bashkohet.
Ky nuk do të jetë aktiviteti i fundit i sporteve ujore por është vetëm fillimi i një itinerari të gjatë. Gjithë lëvizja bëhet vetëm me forcën e krahut. Pa motorë, pa naftë, vetëm me forcën e krahëve, ata arrijnë finishin. Një ndjesi e pashpjegueshme me fjalë, por që çdo njëri duhet ta përjetojë të paktën një herë në jetë!