Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Nuk ka surpriza, PS rikonfirmon 45 kryebashkiakë, në garë dhe dy deputetë

Nga A2 CNN
20 Mars 2023, 14:13 | Politikë

Në zgjedhjet vendore të 14 majit, Partia Socialiste do të hyjë në garë me 45 kryebashkiakë aktualë. Tri qarqe nuk do të kenë asnjë ndryshim në listën e emrave. Tirana do të vijojë me 5 emrat që qeverisin bashkitë, drejtuesi politik i Korçës, Niko Peleshi, ka vendosur që të mos bëjë ndryshime në 6 kryetarët aktualë. Edhe Lezha nuk ka çuar emra të rinj, pavarësisht rezultateve jo të mira në sondazhet e brendshme në Mirditë.

Edhe ekipi i Dibrës nuk do të kishte ndryshim, por pas arrestimit të kryebashkiakut socialist të Bulqizës, Lefter Alla, drejtueses politike, Belinda Balluku, do t’i duhet të gjejë një tjetër emër për të garuar.

Të njëjtën strategji do të duhet të ndjekë dhe drejtuesi i Durrësit, pasi Bashkia e Krujës është ende në dilemë, jo vetëm të përfshirjes së Drejtësisë me Artur Bushi, por edhe të luftës së brendshme brenda socialistëve.

Kryesocialisti Edi Rama ka zgjedhur një deputet të tij për të zhvilluar “luftën” politike në kryeqendrën e veriut, bastionin e demokratëve. Benet Beci do të jetë alternativa e socialistëve për Shkodrën. Ndërsa në Vaun e Dejës, përballë kundërshtarëve do të jetë Kristian Shkreli. Edhe Gramshin, mazhoranca kërkon ta fitojë me një tjetër deputet, Besjan Ajazin.

https://youtu.be/kN3zJAaGf60

Një nga bastionet e së majtës, Vlora, Edi Rama, pritet t’ia besojë diplomatit Ermal Dredha. Por qarku i Vlorës do të ketë ndryshimet më të mëdha në ekipin elektoral, pasi përveç bashkisë së Vlorës, do të ketë ndryshime edhe në Konispol, Selenicë dhe Sarandë. Për këtë të fundit, Blendi Klosi ka propozuar para socialistëve emrin e Olti Cacit.

Në Peqin, fushatën elektorale nga socialistët e ka nisur prej javësh Bukurosh Maçi. Libohova do të ketë një emër të ri, Leonard Hide ka marrë pëlqimin e drejtueses politike të qarkut të Gjirokastrës, Mirela Kumbaro.

Të gjitha bashkitë e tjera, si ajo e Patosit, Bulqizës apo Librazhdit, do të vendosen në mbledhjen e kryesisë së PS-së që është caktuar të mbahet të shtunën. Pasi të marrin firmën dhe dakordësinë e Edi Ramës, lista zyrtare që do të dërgohet në KQZ, do të lexohet nga 12 drejtuesit politik për qarqet që kanë në përgjegjësi.

https://a2news.com/2023/03/13/pac-fatin-e-lali-erit-rama-dhe-veliaj-nisin-fushaten-per-tiranen/
https://a2news.com/2023/03/18/berisha-syte-e-shqiperise-jane-te-tirana-do-ta-fitoje-belind-kellici/

A2 CNN Livestream

Dita jonë