Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 50%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 50%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Vendi ku rrezikohet zia e bukës brenda këtij viti

Nga A2 CNN
21 Mars 2023, 15:33 | Bota
Vendi ku rrezikohet zia e bukës brenda këtij viti

Reduktimi i fondeve të donatorëve mund të shtyjë një pjesë të mirë të Afganistanit në zi buke këtë vit, tha Programi Botëror i Ushqimit, duke shtuar se deri në 9 milionë afganë mund të mbeten pa ndihma ushqimore.

Një paketë e madhe ndihme humanitare, pasi Talibanët pushtuan Afganistanin në vitin 2021, ndihmoi në shmangien e zisë së bukës në atë kohë, por tani frika po rritet përsëri. Programit Botëror të Ushqimit aktualisht i mungojnë 93 milionë dollarë për muajin mars dhe prill, duke shkaktuar reduktimin e racioneve në 4 milionë afganë, ose në vetëm 50% të asaj që nevojitet. 9 milionë njerëz të tjerë do të humbasin plotësisht aksesin në ndihma ushqimore muajin e ardhshëm, nëse nuk marrin zotime financimi.

Thirrjet e Programit Botëror të Ushqimit janë një nga shenjat e para konkrete, pasi zyrtarët ndërkombëtarë paralajmëruan se rritja e emergjencave globale dhe kushtet sfiduese ekonomike, të kombinuara me kufizimet e talebanëve ndaj grave, mund t'i shtyjnë donatorët të tërhiqen.

Kufizimet kanë shkaktuar kritika të gjera ndërkombëtare. Administrata talebane thotë se respekton të drejtat e grave në përputhje me interpretimin e tyre të ligjit islam dhe po punon për udhëzime për të qartësuar rregullat për punonjëset femra të organizatave jo qeveritare. Wei Lee, drejtori i Programit Botëror të Ushqimit në Afganistan, e përshkroi gjithashtu vendimin e autoriteteve talebane për të ndaluar shumicën e grave afgane të punojnë në OJQ në dhjetor si një "goditje shkatërruese".

33-vjeçari Khair Mohammad, i cili kishte humbur këmbën e tij në një shpërthim mine shtatë vjet më parë në provincën jugore të Helmandit, jeton në një nga ato familje që kanë nevojë urgjente për ndihmë, thotë se çdo mungesë e ndihmës ushqimore humanitare nga agjencitë ndërkombëtare përkthehet në zi buke.

“Nëse ndihma e huaj ndërpritet apo ndalet, çfarë duhet të bëjmë, nuk ka punë, nuk ka para, kështu që të gjithë do të vdesim në varfëri dhe në uri”. Sipas të dhënave financiare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Programi Botëror i Ushqimit mori rreth 1.7 miliardë dollarë vitin e kaluar për Afganistanin nga dhjetëra qeveri dhe institucione. Donatorët kryesorë përfshinin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë dhe Gjermaninë. Të dhënat nuk treguan se cilët donatorë kishin reduktuar fondet këtë vit.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli