
Prag Itali-Angli, Bonucci nuk stërvitet, balotazh Retegui-Scamacca në sulm
Pasi e ndoqi Kupën e Botës si spektatore, Italia do të kthehet në fushë. Ndeshja e parë kualifikuese në Euro 2024 për të kaltrit do të luhet, këtë të enjte, kundër Anglisë.
Mungesa e vetme për trajnerin Mancini pritet të jetë ajo e Bonuccit. Mbrojtësi veteran ishte i vetmi nga 29 futbollistët në dispozicion që nuk u stërvit me skuadrën.
Sipas stafit teknik, duket e vështirë që kapiteni i Italisë të zbresë në fushën e stadiumit Maradona për duelin me Tre Luanët, që është përsëritje e finales së Euro 2020, në të cilën ata triumfuan në “Wembley”.
Stërvitja e italianëve ishte përqendruar intensivisht në fazën mbrojtëse, duke alternuar rreshtimet me tre dhe katër lojtarë.
Por, dyshimet më të mëdha janë në repartin ofensiv. Nëse në mesfushë treshja Jorginho-Verratti-Barella duket e pandryshueshme, për sulmin po shqyrtohet zgjedhja më e mirë.
Për rolin e qendër-sulmuesit, në garë janë Scamacca dhe prurja më e re, Retegui. Ndërkohë, për dy fanella, janë në garë katër lojtarë: Berardi, Gnonto, Politano dhe Pellegrini. Në mungesë të Bonuccit, shiritin e kapitenit tek Italia pritet ta mbajë Verratti.