
Befasia në prag të sfidës, Republika Çeke favorite ndaj Polonisë së Levandowskit
Mbrëmjen e kësaj të premteje nisin kualifikueset edhe në Grupin E, aty ku luan Shqipëria. Duke qenë se janë vetëm pesë skuadra, kuqezinjtë janë pushim në ditën e parë, por vëmendjen e tërheq dueli ndërmjet Republikës Çeke dhe Polonisë, dy skuadrave që cilësohen pretendente.
Befasia e madhe është se çekët cilësohen si favoritë në këtë ndeshje, të cilën do ta luajnë në shtëpi. Në letër kjo është sfida më e fort metë cilën ata do të përballen, duke vlerësuar edhe formën e muajve të fundit.
Republika çeke ka humbur pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit, duke rënë edhe një ligë më poshtë në Nations League. Megjithatë, Praga është fortesa e tyre, sepse aty kanë humbur vetëm një nga 13 ndeshjet e fundit në shtëpi.
Në kualifikueset e Botërorit, Çekia nuk u kualifikua, por në Europian ata nisen nga kujtimet e mira të Euro 2020, ku arritën deri në fazën çerekfinale. Në atë event, Patrik Shik u vlerësua për golin më të bukur të turneut, teksa madhështore ishte fitorja ndaj Holandës në fazën e një të tetave.
Polonia në anën tjetër do të mbështetet si gjithmonë te Robert Levandoski. Si në Nations League ashtu edhe në kupën e botës, polakët konfirmuan se mund të luajnë si të barabarta me ekipet më të mëdha në botë. Por problemet e trajnerit të ri Fernando Santos, mbeten nisja e ciklit të ri, mungesat dhe situata brenda ekipit, ku prej polemikave të brendshme lojtarët nuk flasin me njëri-tjetrin.