
Prokuroria e Posaçme ka ndërmarrë një tjetër veprim konkret në hetimin e nisur ndaj ish-zv.kryeministrit, Arben Ahmetaj. Pas dyshimeve për “fshehje të pasurisë”, me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme vendosi nën sekuestro dy vila në bregdet, një në Palasë dhe një në Hamallaj. Sipas burimeve nga SPAK, vila në Palasë është pjesë e një kompleksi rezidencial dhe dyshohet se zotërohet nga ish-bashkëshortja e ish-ministrit të Financave.
Godina në fjalë nuk rezulton e regjistruar ne emër të ish-bashkëshortes së Ahmetajt, por në emrin e një zonje, rreth miqësor i saj. Vetë ish-bashkëshortja e zyrtarit të lartë ka mohuar të ketë lidhje me këtë objekt.
Ndërsa vila në Hamallaj e vënë në sekuestro me vendim gjykate i përket bashkëjetueses aktuale të ish-zv.kryeministrit, Ahmetaj. Ambientet e të njëjtës vilë iu nënshtruan një kontrolli nga agjentët e BHK në 8 mars.
Burime pranë SPAK, bënë me dije se masa e sekuestros u kërkua pas dyshimeve se dy godinat janë krijuar në burime financiare të jashtëligjshme.
Ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, po hetohet nga SPAK për 4 vepra penale “shpërdorim të detyrës”, “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurie”.
Kontrolli i BKH në shtëpitë e ish-gruas dhe partneres së Ahmetajt
Disa ditë më parë, Agjentët e Byrosë Kombëtarë të Hetimit kanë kryer kontrolle në banesën e partneres së ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj dhe në banesën e ish-bashkëshortes së tij.
Në banesën e ish-bashkëshortes nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm, ndërsa në banesën e bashkëjetueses është gjetur një shumë parash kesh. Në të njëjtën banesë janë sekuestruar edhe disa kontrata dhe dokumente shkresore.
Çfarë thoshte Rama për Ahmetajn?
Në lidhje me këtë çështje ka folur edhe Kryeministri Rama, i cili iu përgjigj deklaratave të ish-zv.kryeminsitrit, Arben Ahmetaj, se ai duhet të bëjë kryeministrin, jo gjykatësin.
“Nëse unë do të kisha bërë rolin e gjykatësit gjërat do të kishin qenë shumë më keq për ata që duan që unë të kisha bërë gjykatësin”, tha Rama gjatë një komunikimi për gazetarët në përfundim të mbledhjes së kryesisë së PS-së.
Përfshirja në aferën e inceneratorëve
Ahmetaj është një nga personat më të akuzuar nga ana e opozitës, si i përfshirë në çështjen e inceneratorëve, për të cilën SPAK ka marrë disa të pandehur, mes tyre edhe ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputetin e PS, Alqi Bllako.
Në korrik të vitit të kaluar, Ahmetaj u shkarkua nga posti i zv.kryeministrit dhe i ministrit për Rindërtimin, por nuk u emërua në asnjë pozicion tjetër brenda kabinetit Rama. Gjithashtu, ai nuk u konfirmua si drejtues politik i PS-së në Vlorë, pozicion që iu besua Blendi Klosit. (A2 Televizion)