
Ndeshja me Poloninë, Gjasula: Jemi mirë me një pikë
Të gatshëm për të sakrifikuar. Për të dhënë gjithçka për Kombëtaren, mbi të gjitha kudo ku ekipi ka nevojë. Kuqezinjtë synojnë që edhe njëherë diferencën ta bëjë forca e grupit. Kjo duhet të jetë pika më e fort përpara debutimit në kualifikueset e Euro 2024, në ndeshjen ndaj Polonisë që cilësohet forca e parë e grupit.
“Erdha këtu për të luajtur. Do të shohim si do të shkojë stërvitja. Unë do të jap maksimumin. Në qendër të mbrojtjes? Po. Atje jam mësuar me këtë rol. Duhet ta vendosë trajneri në cilin rol do të hyj unë. Aty ku do të më vendosë trajneri aty do të luaj. Ne shkojmë atje për të dhënë maksimumin. Do të shohim si ecën ndeshja. Mendoj se nëse marrim pikë në shtëpi do të jetë mirë”, deklaroi Klaus Gjasula, futbollist i Kombëtares.
“Mendoj se duhet të shkojmë ta marrim ndeshjen që nga fillimi me shumë seriozitet. Duhet të japim maksimumin për të dalë me rezultat pozitiv. Secili trajner ka taktikat e veta, ose punën e vet. Por deri tani trajneri Silvinjo është shumë pozitiv. Na ka dhënë shumë përkrahje. Krijon shumë atmosferë në stërvitje”, u shpreh futbollisti i Kombëtares Ylber Ramadani.
Shqipëria do të vijojë përgatitjet në Tiranë, teksa prej mëngjesit të së dielës, skuadra udhëton drejt Varshavës. Aty kuqezinjtë do të zhvillojnë edhe stërvitjen zyrtare për sfidën me Poloninë, që luhet të hënën prej orës 20:45.