Tuberkulozi në Shqipëri, 292 raste të reja, më i përhapur tek të rinjtë
Tuberkulozi po shfaqet edhe tek të rinjtë. Shqetësimi vjen nga mjekët të cilët konstatojnë rritje të rasteve me këtë sëmundje dhe kryesisht në grup-moshat 15-45 vjeç. Vetëm gjatë vitit të shkuar rezultuan 292 raste të reja më tuberkuloz, pjesa më e madhe ishin pacientë në moshë të re.
Pneumologët thonë se mënyra e jetesës dhe sjelljes së të rinjve janë shkak për përhapjen e tuberkulozit mes tyre.
“Peshën më të madhe të sëmundjes e mban popullata aktive 15 deri 45 vjeç. Faktor është jetesa e tyre, mënyra e sjelljes, qëndrimi në ambiente të mbyllura për kohë të gjatë dhe higjiena jo emire”
Aktualisht në spitalin “Shefqet Ndroqi” janë të shtruar 4 pacientë më tuberkuloz, dy të rinj dhe dy të tjerë të moshës mbi 60 vjeç. Mjekët flasin për shenjat e klinike të tuberkulozit, të cilat mund të ngatërrohen fillimisht me gripin.
Tuberkulozi është një sëmundje ngjitëse që transmetohet përmes rrugëve të frymëmarrjes. Vaksina që kryhet në ditët e para të jetës nuk na bën imun ndaj infektimit, por ndaj formave të rënda të sëmundjes.
Për këtë arsye vdekjet nga tuberkulozi në Shqipëri janë në nivele shumë të ulëta. Aktualisht Tirana mban vendin e parë për rastet më të shtuara me këtë sëmundje, ndjekur nga Peshkopia dhe Shkodra. Organizata Botërore e Shëndetësisë synon që 2030 vendet e Evropës të mos kenë më raste me tuberkuloz.