Janar-mars, 8 ngjarje kriminale me 12 viktima, Breçani: Policia nuk po tregon forcën për të mbajtur territorin nën kontroll
Janar-mars, 8 ngjarje kriminale me 12 viktima, Breçani: Policia nuk po tregon forcën për të mbajtur territorin nën kontroll
Tetë ngjarje kriminale janë regjistruar gjatë periudhës janar-mars, të cilat kanë shkaktuar 12 viktima. Sipas ish-drejtorit të Policisë, Erzen Breçani, krimi i organizuar ka fituar terren dhe policia nuk po tregon forcën e saj goditëse për të mbajtur territorin nën kontroll. Një rol të rëndësishëm, sipas tij, ka edhe dokumentimi i ngjarjes për të parandaluar veprime të tjera.
“Këtë tremujor është shtuar veprimtaria kriminale dhe më shqetësuese është vrasja e dy njerëzve të pafajshëm. Policia nuk po e tregon forcën e saj goditëse për të mbajtur territorin nën kontroll. Forca goditëse e policisë së shtetit është mjaft e zbehtë. Policia duhet të vlerësojë dokumentimin e ngjarjeve. Krimi i organizuar ka marrë terren. Në ngjarjen e Top Channel mendoj që janë në rrugën e mbarë për dokumentimin e ngjarjes. Çdo dokumentim i ngjarjes parandalon veprime të tjera”.
Breçani thekson se ngjarjet kriminale mund të parandalohen, duke i mbikëqyrur grupet kriminale nga policia dhe duke njoftuar çdo aktivitet kriminal.
“Ngjarjet kriminale mund të parandalohen. Grupet kriminale në vendin tonë janë të identifikuara dhe mund të parandalohen ngjarjet, duke i mbikëqyrur, duke kryer kontrolle, duke parë lidhjet e tyre të ndjekësh burimin e të ardhurave lokalet dhe njerëzit që frekuentojnë. Policia duhet të njoftojë çdo aktivitet kriminal”.