Një ekip kirurgësh nga SHBA dhe Kanadaja po rregullojnë fytyrat e lënduara të ushtarëve të Ukrainës

Nga A2 CNN
31 Mars 2023, 09:50 | Bota

Lesya Belinska është krenare për djalin e saj. Ajo qëndron pranë Roman Belinsky dhe e përqafon me një krah. Belinsky e largon me dorë, i zënë ngushtë.

Fytyra e Belinsky-t është shpërfytyruar keq nga një dëmtim i rëndë në fushën e betejës. 42-vjeçari është liruar nga detyra së fundmi, por ende mban uniformën e ushtrisë.

“Jam krenare sepse nuk vrapove dhe nuk u fshehe. Jam krenare për djalin tim dhe të gjithë djemtë e tij. Po të mos jetë për ta, rusët do të na shkatërrojnë”, shprehet nëna e tij.

Belinsky thotë se doli vullnetar për një brigadë këmbësorie të mekanizuar ukrainase në vitin 2020. Pas pushtimit nga Rusia në shkurt 2022, ishte një nga grupet e para që doli në luftime.

Në maj, Belinsky dhe brigada e tij mbrojtën Huliaipole, në Ukrainën qendrore. Rusët i kundërshtuan me çdo gjë që kishin.

Atë natë, tanket ruse sulmuan nga të dyja krahët.

“Nuk e di se si mbijetova. Nuk e di se si i mbijetova granatimeve. E gjithë fytyra më ishte mbuluar me gjak.”

“Kirurgët në terren më shpëtuan jetën”, thotë ai. Por ajo që pasoi ishin muaj të tërë operacionesh të dhimbshme dhe gjithnjë e më teknike në përpjekje për të ristrukturuar fytyrën e tij.

Edhe në një vend si Ukraina, me një sistem të sofistikuar mjekësor dhe kirurgë shumë të trajnuar, është dashur një ekip i specializuar amerikan dhe kanadez që të merret me disa prej rasteve më të vështira.

E hapur në vitin 1996 nga mjeku kanadez Peter Adamson, “Face the Future” punon në të gjithë globin dhe fokusin e ka në kirurgjinë delikate rindërtuese.

Puna e fondacionit përfshinte Rusinë deri vonë, por pas nisjes së luftës ata i kthyen sytë nga Ukraina dhe po ndihmojnë ushtarët që kanë marrë dëmtime të rënda në fytyrë gjatë luftës.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu