Në këto zgjedhje vendore, Partia Republikane nuk do të dalë me kandidatë për kryetarë bashkie, por do të garojë vetëm për Këshillat Bashkiakë.
I ftuar në “Ditari” në A2 CNN, kreu i kësaj partie Fatmir Mediu theksoi se PR do të mbështesë të gjithë kandidatët për kryetarë bashkie të opozitës.
Mediu shpjegoi se me ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor, një listë e përbashkët për këshilltarë do të ngushtonte mundësinë për të fituar.
“Dhe kjo ishte logjika për të ndërtuar një koalicion më të gjerë. Veç kandidatëve për kryetarë bashkie që janë të përbashkët, partitë të kishin listat e tyre për këshilltarë.”
Ndërkohë, teksa i afrohemi nisjes zyrtare të fushatës, kreu i qeverisë Edi Rama ka njoftuar se do të nisë të realizojë podcast-e, të njëjtën gjë e bëri edhe kundërshtari i tij politik Sali Berisha, i cili publikoi të hënën edhe episodin e parë që mban titullin “Jeta përtej politikës”.
Lidhur me këto risi në kohë fushate, Mediu kujtoi se sot mediat sociale i krijojnë kushtet për qasje të tilla, por theksoi se duhet treguar një kujdes i madh që të mos kalohen disa kufij që mbajnë disa balanca delikate.
“Politika ka dalë nga ato format klasike të saj. Ajo që është e rëndësishme, nuk duhet që politika të vijë te pika që të thotë se s’ka më media se median e bëjmë ne. Nëse e bëjmë këtë atëherë, kemi prishur një pushtet jashtëzakonisht të rëndësishëm që nuk është thjesht balanca e aktorëve politikë, por është balanca e shoqërisë me politikën dhe shtetin. Prandaj këtu duhet të jemi shumë të kujdesshëm se ku i kemi limitet tona.”
Në kushtet kur qeveria ka një televizion të vetin, dhe tashmë do të kemi një podcast personal të kryeministrit, kreu i PR-së ngriti shqetësimin se theksi po vendoset jo te mirëqeverisja por tek PR (Marrëdhëniet me Publikun).
Ai theksoi po ashtu se në këto vitet e fundit ka munguar debati politik në periudha zgjedhore dhe për rrjedhojë ka dhe më pak qytetarë që marrin pjesë në proceset demokratike në vend. (A2 Televizion)