Besimtarët katolikë kremtuan në Katedralen e Shën Palit, festën e Pashkës. Kjo është një ndër festat më të rëndësishme për krishtërimin, pasi shënon ringjalljen e Jezu Krishtit pas kryqëzimit.
Qindra besimtarë ishin të pranishëm për të ndjekur meshën e drejtuar nga kreu i Kishës Katolike në Shqipëri, Imzot Arjan Dodaj.
Në mesazhin e tij për të gjithë besimtarët Imzot Arjan Dodaj tha se mesazhi i Krishtit të ringjallur vjen në një moment kur bota ka më shumë nevojë.
"Sa shumë dëshirojmë ta ndezim këtë zjarr në natën e errët që ka bërë familjare korrupsionin, që e ka bërë të natyrshme hemorragjinë e të rinjve nga ky vend, që nuk çudit më me krimin në çdo kontekst të shoqërisë dhe veçanërisht në dhunën ndaj grave. Sa dëshiroj që të ndezim një zjarr të ri për t’u dhënë shpresë familjeve të reja që të mos ballafaqohen me një utopi kur dëshirojnë të ndërtojnë një familje dhe të kenë sa më shumë fëmijë dhe veçanërisht të mund të kenë një shtëpi”, tha imzot Dodaj.
Festimet për këtë festë nisin me meshën e madhe në mesnatën e së shtunës dhe vijojnë gjatë të dielës, ku besimtarët shtrojnë drekën tradicionale. (A2 Televizion)