Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Gara për Shijakun, Elton Arbanën e sfidon Rezart Tusha. Qytetarët zgjedhin të mos flasin

Nga A2 CNN
1 Maj 2023, 22:05 | Politikë
Gara për Shijakun, Elton Arbanën e sfidon Rezart Tusha. Qytetarët

Shijaku është bashkia më e vogël në Qarkun e Durrësit. Njësia vendore e cila shtrihet ndërmjet Tiranës dhe Durrësit, me një sipërfaqe prej rreth 92 kilometrash katrorë, gjatë 32 viteve të demokracisë, jo pak herë ka qenë pjesë e lajmeve të kronikës së zezë.

Po aq e habitshme është edhe fakti se kjo njësi me një popullsi prej rreth 44 mijë banorësh, është ndër më të varfrat në Shqipëri, edhe pse pozicioni gjeografik në mes dy qyteteve më të mëdha të Shqipërisë, duket se nuk e ka favorizuar në zhvillimin ekonomik.

Paga mesatare bruto në Shijak është rreth 40 mijë lekë, ndërsa të ardhurat për frymë në 31 mijë lekë, rreth 25% më pak sesa paga minimale në Shqipëri. Qenia afër Tiranës dhe Durrësit nuk ka shërbyer që kjo bashki të orientohet drejt industrisë apo turizmit, ku si ekonomi kryesore vijon të ketë bujqësinë. 

Nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të vitit 2019, kjo ishte ndër bashkitë më të dëmtuara, por fatmirësisht pa viktima. Dëmet materiale i lanë vend mendimeve të falimentimit total të kësaj bashkie, por menaxhimi i kësaj situate shihet si pika më e fortë e kryetarit në detyrë, Elton Arbana, i cili synon të marrë edhe një mandat të dytë.

“Ia kemi dalë mbanë që ta menaxhonim fatkeqësinë natyrore të 26 nëntorit, duke punuar natë ditë e gjithë administrata, pa asnjë ditë pushim, pa patur orare të caktuara. Me qëllimin e vetëm që i gjithë rindërtimi në Bashkinë e Shijakut të jetë i përfunduar. Dhe sot ne kemi një rezyme. Për këto tre vite kemi të mbaruar 802 banesa individuale, 31 pallate, 5 shkolla dhe 3 kopshte”, thotë Arbana për A2 CNN.  

Ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2019, banorët e qytetit do të kenë mundësi të zgjedhin në fletën e votimit, pasi në zgjedhje janë dy kandidatë. Sfidanti në zgjedhje është kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Rezart Tusha, i cili është i mendimit se rindërtimi nuk është një histori suksesi: “Në Bashkinë e Shijakut kemi pasur edhe një fatkeqësi, tërmetin. Janë bërë pallate, shtëpia individuale. Të gjithë këto pallate nuk janë ndarë, pasi çelësat i mban kryetari i bashkisë aktual, që i mban për t’i shpërndarë ditët e fundit të kësaj fushate sepse i mban peng qytetarët në këmbim të votës. Pallatet janë rindërtuar, por me një cilësi shumë të dobët. Shtëpia që nuk janë as të tyre, do t’i marrin me kontratë provizore sepse kjo bashki, kjo qeveri, i mban njerëzit peng në këmbim të votës”.

Në një bashki me një buxhet vjetor në rreth 547 milionë lekë, puna e administratës shihet si vendimtare për të shumuar paratë. Por, opozita është e qasjes se këto shërbejnë për të fryrë administratën e Bashkisë.

Arbana shprehet: “Na duhet që të lobojmë me projekte që të ecim përpara. Kemi një zyrë projektesh që është nga më të mirat në Shqipëri, përpos bashkive të mëdha siç janë Durrësi, Tirana apo bashkitë e tjera të mëdha. Për bashkitë e nivelit të tretë, siç është Bashkia e Shijakut, modestisht mund të them që jemi më të mirët në Shqipëri”.

Ndërsa Rezart Tusha thekson: “Vizioni im në drejtimin e kësaj bashkie është që ta kthejmë në radhë të parë bashkinë gjithë qytetarëve. Sepse po të shkosh në Bashkinë e Shijakut, me një administratë të tejfryrë, nuk mbaron punë për një letër, për një vërtetim banimi. Nuk i japin shërbim qytetarit, i vërdallisin për shumë arsye të kota. Puna ime e parë do të fokusohet në gjithë qytetin e Shijakut dhe në rrethinat, në ujin e pijshëm, edhe sistemi i lumit Erzen, sepse e kanë bërë si përrua”.

Rrjeti rrugor në Bashkinë e Shijakut, duke përfshirë edhe 25 fshatrat që ka në përbërje, është pjesë e programit elektoral të të dy kandidatëve. Por, mungesa e investimeve në këtë drejtim ka pikëpamje të ndryshme. 

“Rrugët janë kryesore në Bashkinë e Shijakut, pasi ka 10 vjet që këtu nuk preket një rrugë. Fonde kanë pasur, i kanë çuar ku i kanë çuar, abuzime jashtë mase. Gati 80% e rrugëve nuk preket asgjë në Shijak. 99% e rrugëve do të sistemohen, do të asfaltohen. Gjithë fshatrat e komunës Gjepalaj janë copë-copë”, thotë Tusha.

Arbana shprehet: “Është e vërtetë që jemi shumë afër Durrësit, por nga ana tjetër, pritshmëritë për të bërë një qytet evropian janë shumë të mëdha pasi e kemi potencialin, e kemi mundësinë. Fokusi ynë do të jetë tek zonat rurale. Pra, do të kenë një vëmendje të veçantë të gjithë fshatrat e Bashkisë së Shijakut”. 

Pavarësisht ndasive të theksuara ndërmjet tyre, dy kandidatët ka një pikë që i bashkon, ajo se cila duhet të jetë e ardhmja e Bashkisë. 

“Vizioni im për 4 vitet e ardhshme është që ta çoj Shijakun drejt agroturizmit. Kemi rreth 14 fshatra që kanë nga një liqen dhe duke qenë se në këto fshatra bashkë me këto liqene, ne mund ta kthejmë zonën drejt agroturizmit. Është e vetmja mundësi që mund t’i krijojmë të ardhurat Bashkisë së Shijakut”, tregon Arbana.  

“Prioriteti jonë duhet të jetë agroturizmi sepse Shijaku ka kodra shumë të bukura dhe ka shumë liqene që mund të shfrytëzohen për agroturizëm. I gjithë populli i Shijakut është në harresë, sepse bashkia dhe qeveria e ka lënë në harresë sikur të jetë në Kandahar, jo ndërmjet kryeqytetit dhe Durrësit”, deklaron Tusha.

Përballë këtyre premtimeve, banorët e Shijakut duhet të zgjedhin ndërmjet dy alternativave se kush do të jetë qytetari i parë për 4 vitet që vijnë, e deri në 14 maj, fushata ndërmjet Elton Arbanës dhe Rezart Tushës do të vijojë. 

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani