Nga banesat sociale tek infrastruktura dhe turizmi, oferta e kandidates socialiste për votën e durrsakëve

Nga A2 CNN
1 Maj 2023, 21:17 | Politikë
Nga banesat sociale tek infrastruktura dhe turizmi, oferta e kandidates

Nga rindërtimi tek infrastruktura arsimore dhe mbetjet, me këtë bilanc punësh të kryera, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, e cila rikandidon sërish në zgjedhjet e 14 majit për këtë bashki u kërkon votën qytetarëve durrsakë. Në një intervistë me Alba Alishanin për Debatin në A2 CNN, Emiriana Sako renditi punët e realizuara gjatë drejtimit të saj në një kohë të vështirë në krye të bashkisë, teksa premtoi banesa sociale për çiftet e rinj.

“Jemi me bilanc punësh të realizuara. Kryefjala ka qenë rindërtimi dhe kemi realizuar një volum të jashtëzakoshëm. Kemi bilanc të shtëpive të realizuara në njësi administrative e qytet mbi 700 njësi banimi ku familjet jetojnë brenda tyre. Në proces rindërtimi janë 996 apartamente që po ndërtohen në këtë lagje që një pjesë do shërbejnë edhe për banesa sociale. Bilanc është edhe infrastruktura arsimore. Kemi bërë punë të jashtëzakonshme, kemi përfunduar 18 objekte. Kemi ende 19 shkolla në proces, është një bilanc që do ta përfundojmë në 2024”.

Përveç kartës së rindërtimit, Sako theksoi se shkon te qytetarët durrsakë me një program të bazuar në 12 shtylla dhe disa angazhime si pastrimi i qytetit, turizmi dhe shërbimet sociale, të cilave iu është dhënë zgjidhje.

“Gjatë 2022 kemi marrë disa angazhime që i kemi të realizuar si pastrimi i qytetit, investimi ë flotën e mjeteve, ndërrimi i koshave, kemi ndriçuar qytetin, Shkozetin dhe plazhin që kanë një prioritet turistik dhe gjelbërim të qytetit në disa lagje. Kemi rikthyer hapësirat publike. Sezonin e kaluar nuk kemi apsur probleme kemi pasur shtese së fuqisë së pastrimit. Kemi gjetur zgjidhje definitive dhe sot në vend të Porto Romanos, mbetjet depozitohen në landfildin e Sharrës dhe në Porto Romano kemi një projekt të mirëfilltë. Unë kam hartuar një program që bazohet në 12 shtylla që grupohen në prioritet turizëm, zhvillim urban, shërbime sociale. Ne do të shtojmë suportin për turizmin, duam të rrisim sigurinë jo vetëm në zonat bregdetare e qytet. Mbulimi me kamera sigurie në këto zona.  Shërbimet sociale janë një tjetër prioritet. Ne do të ndërtojmë banesa sociale për të akomoduar, kemi kërkesa për familje që duan të mbështeten nga bashkia deri tani e kemi zgjidhur me subvencion nga Bashkia ose kredi të butë, por kemi kërkesa për banesa sociale”.

Një tjetër prioritet i saj do të jetë edhe zhvillimi urban ku Sako parashikon ndërtimin e një parkimi publik në hyrje të qytetit i edhe në plan më afatgjatë ndërtimin e unazës së madhe të qytetit.

“Zhvillimi urban problematika trafiku i rënduar gjatë sezonit dhe kemi marrë masa për ndërtimin e një parkimi publik në hyrje të qytetit. Projekti ka filluar. Më afatgjatë do të jetë ndërtimi i një unaze që nga Currilat që do të dalë në Spitallë dhe unaza e brendshme”.

E pyetur për performancën e Bashkisë Sako tha se vjelja e taksave ka ardhur në rritje, teksa përmendi mbështetjen e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama për investime në qytet.

“Plazhet kanë pasur të ardhura më të ulëta për shkak të pandemisë, kemi rritje me 113% të vjeljes së tarifës së plazheve private por duam të digjitalizojmë shërbimet e bashkisë. Ka mbështetje nga kryeministri Rama për të vijuar investimet për mandatin që presim”.

Sako përjashtoi abuzimin elektoralisht me rindërtimin dhe tha se gjuha e opozitës është e mbushur me të pavërteta.

“Gjuha e opozitës është zhargon i mbushur me të pavërteta. Administra e bashksië së Durrësit zbaton ligjin dhe nuk përfshihet në fushatë vetëm kur kanë vullnet. Ka inxhinierë që punojnë që në kohën kur ka qenë Arqile Gorea në Bashkinë e Durrësit”.

Përballë kandidatit të saj në garë të Koalicionit Bashkë Fitojmë, Sako tha se avantazhi i saj është puna dhe mbështetja e qeverisë

“Unë nuk jam marrë me rivalin në këtë garë. Nuk kam dëgjuar asnjë program për qytetarët, pro unë fokusin e kam te qytetarët dhe në 14 maj do kërkoj mbështetjen e tyre. Këtë do t’ia lëmë qytetarëve të Durrësit të vendosin. Unë kam bagazh punësh të realizuara. Puna është avantazhi im dhe mbështetja që na jep struktura e PS dhe ekipi i madh. Kam gjëra që do të doja të bëja më shumë apo më mirë, por mendoj që kam dhënë maksimunim. E kam marrë drejtimin në një moment të vështirë. Do të isha kurioze se çka bërë opozita për qytetin”. Ajo i ftoi qytetarët që në 14 maj të jenë protagonistë dhe jo dëshmitarë.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu