Asociacioni merr jetë sot?! Kurti dhe Vuçiç përballë njëri-tjetrit në Bruksel

Nga A2 CNN
2 Maj 2023, 07:35 | Kosova
Asociacioni merr jetë sot?! Kurti dhe Vuçiç

Sot në Bruksel do të zhvillohet takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në agjendën e takimit të sotëm, të prezantuar më herët nga burime nga të dyja qeveritë, bëhet me dije se pjesë e diskutimeve pritet të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe çështja e të pagjeturve.

Pritshmëritë janë që dy udhëheqësit të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, si dhe të diskutojnë për draft-statutin e Asociacionit, të krijuar nga i ashtuquajturi Ekip Menaxhues.

Kurti dhe Vuçiç u takuan për herë të fundit në Ohër, më 19 mars, kur edhe u pajtuan gojarisht për zbatimin e asaj që njihet si Marrëveshje Bazë, e që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kjo marrëveshje, e njohur më herët edhe si propozimi evropian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh nga viti 2011.

Mbrëmjen e së hënës, kryeministri Kurti zhvilloi një takim dhe me këshilltarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili theksoi rëndësinë e zbatimit të menjëhershëm të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Serbia vazhdimisht ka këmbëngulur në kompetenca të gjera për Asociacionin, teksa Kosova insiston se kjo gjë do të rrezikonte funksionalitetin e shtetit.

https://a2news.com/2023/05/01/nga-kosova-po-kerkohet-nje-ndarje-e-bute-e-vendit-ne-dy-pjese/

A2 CNN Livestream

A2 Sport