“Nuk e zbuloi Kolombi Amerikën”, studimi i ri tregon se kush mbërriti para tij

Nga A2 CNN
2 Maj 2023, 19:34 | Lifestyle
“Nuk e zbuloi Kolombi Amerikën”, studimi i ri tregon se kush

Pas konfirmimit të fundit nga një studim i vitit 2021, se nuk ishte Kristofor Kolombi që zbuloi i pari Amerikën, por Vikingët, një studim i ri i botuar në Antiquity ofron prova të mëtejshme që mbështet këtë tezë. Sipas tij popujt e Groenlandës arritën në brigjet lindore të Botës së Re shumë përpara Kolombit.

"Gjetjet nënvizojnë faktin se vikingët e Groenlandës kishin mjetet, njohuritë dhe anijet e përshtatshme për të kaluar ngushticën Davis dhe për të zbritur në bregun lindor të Amerikës së Veriut," komentojnë studiuesit.

Studimi bazohet në analizën e disa mbetjeve të drurit të gjetura në një zonë vikingësh në Groenlandën perëndimore, midis viteve 985 dhe 1450 pas Krishtit. Duke parë strukturën qelizore të drurit, studiuesit mundën të konstatonin se disa nga pemët nuk ishin vendase në Groenlandë dhe as në Evropën Veriore, si pisha Banks, tipike për Malet Shkëmbore Kanadeze.

Klima arktike dhe territori i thatë i Groenlandës e bënë atë një territor pothuajse pa burimet e nevojshme për një shoqëri mesjetare për të lulëzuar. Një tekst norvegjez i shekullit të 13-të thoshte "çdo gjë që është e nevojshme për të përmirësuar territorin duhet të blihet jashtë vendit, gjithashtu hekuri dhe druri i përdorur në ndërtimin e shtëpive."

Prej vitesh ka pasur prova që mbështesin ardhjen e vikingëve në Amerikë para Kolombit. Disa tekste italiane të shekullit të katërmbëdhjetë flisnin për mbërritjen e norvegjezëve në një vend të quajtur Marckalada, i cili mendohej të ishte në Kanada. Por prova përfundimtare erdhi në vitet 1960, kur arkeologët zbuluan një fshat vikingësh në ishullin e Newfoundland që daton rreth 1000 vjet më parë.

Përveç vikingëve ka disa teori që sugjerojnë se të tjerë kanë arritur në Amerikë përpara Kolombit. Bëhet fjalë për një murg irlandez, një eksplorues kinez apo një oficer i marinës britanike, teori këto q ënuk mbështeten në asnjë provë, por një gjë është e sigurt që nuk është Kolombi ai që zbuloi Amerikën.

A2 CNN Livestream

Dita jonë