Ujdia për të pagjeturit dhe asociacioni, takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel bashkë me kryenegociatorët

Ujdia për të pagjeturit dhe asociacioni, takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel bashkë me kryenegociatorët
Ka nisur takimi i nivelit të lartë në Bruksel në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ndryshe nga herët e tjera, përveç ndërmjetësuesve Josep Borrel, Miroslav Lajçak, kryeministrit Albin Kurti, presidentit Aleksandër Vuçiç, në tryezë gjenden dhe kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç.
Zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, firmosja e marrëveshjes për të pagjeturit e luftës dhe prezantimi i draft-statutit të parë për formimin e asociacionit janë pikat kryesore që palët do të diskutojnë dhe shqyrtojnë në këtë takim.
Ajo që bie në sy është se në tryeze gjenden dhe disa kufje për të dëgjuar përkthimet, ndërsa nuk mungojnë pijet e gazuara Coca Cola dhe uji natyral. Kryeministria e Kosovës njoftoi se përpara nisjes së takimit, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë me të dërguarin e posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. “
U diskutua për takimin e sotëm, agjendën dhe pritshmëritë, teksa u theksua nevoja e zbatimit të plotë, në mirëbesim dhe pa kushtëzime të asaj që është pranuar me 27 shkurt në Marrëveshjen Bazë dhe 18 mars në Planin e Zbatimit”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Ndërsa nga ana tjetër, presidenti serb publikoi një video mesazh duke pretenduar që i gjithë perëndimi ishte kundër tij në këtë takim të nivelit të lartë.