Refuzoi draftin në Bruksel, Kurti prezanton vizionin e tij për Asociacionin

Publikuar më: 3/5/2023, ora 08:24
kurtii

Refuzoi draftin në Bruksel, Kurti prezanton vizionin e tij për Asociacionin

Publikuar më: 3/5/2023, ora 08:24

Një ditë pasi prezantuan në Bruksel, atë që kryeministri Albin Kurti e cilësoi si draft-statut të papranueshëm për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, autoritet në Prishtinë I kanë shkarkuar anëtarët e ekipit menaxhues që u morën me hartimin e tij.

Në përbërje të tij ishin katër pjesëtarë të komunitetit serb: Danijella Vujiçiç, Jellena Bolloviç, Igor Kallamar dhe Dejan Radojkoviç. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se ekipi e ka prezantuar tashmë draft-statutin, ndërsa theksoi se vendimi bazohen në marrëveshjen e Brukselit për normalizim të raporteve.

Por Beogradi e cilësoi si të njëanshëm të paligjshëm një hap të tillë. “Mandati i Ekipit Menaxhues nuk përfundon me prezantimin e draft-statutit të Asociacionit. Ekipi Menaxhues ka një rol të rëndësishëm në vetë procesin e formimit të Asociacionit, deri në krijimin e tij”, tha Petar Petkoviç, nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Pas takimit me Vuçiç në Bruksel, kryeministri Albin Kurti tha se nuk e pranon draft-statutin e prezantuar pasi nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës. në vend të tij ai prezantoi një  “draft-vizion” që e ka hartuar vetë e që, siç tha, “rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, përkatësisht të komunitetit serb në Kosovë”.

Në këtë dokument të Kurtit thuhet, mes tjerash, se ai do t’u ofrojë mundësi pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre përmes “kornizës së vetëmenaxhimit”, kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës, si dhe mundësi për t’u financuar nga Kosova dhe vende të tjera, përfshirë edhe Serbinë. Asociacioni I ideuar nga Kurti, duhet të njohë plotësisht karakteristikat kushtetuese të Republikës së Kosovës, si respektimi i pavarësisë dhe integriteti territorial.