Rusia akuzon Ukrainën për atentat ndaj Putin
Ukraina ka sulmuar Kremlinin. Është kjo akuza që vjen nga presidenca ruse, e cila përmes një njoftimi pretendon se dy dronë pa pilotë tentuan të kryenin një atentat ndaj Vladimir Putin në rezidencën e Kremlinit në Moskë. Bëhet e ditur se mjetet fluturuese janë shkatërruar nga ushtria dhe shërbimet sekrete me anë të disa sistemeve të mbrojtjes.
Presidenca ruse konfirmon se si pasojë e shkatërrimit, disa pjesë të dronëve kanë rënë brenda Kremlinit, por nga kjo ngjarje nuk janë shënuar viktima apo dëme materiale. Gjithashtu, sqarohet edhe gjendja shëndetësore e presidentit Putin.
Ne i konsiderojmë këto veprime si një akt të planifikuar terrorist dhe një tentativë për sulm ndaj Presidentit, të kryer në prag të Ditës së Fitores, Paradës së 9 majit, në të cilën është planifikuar prania edhe e mysafirëve të huaj. Si pasojë e këtij akti terrorist, presidenti nuk ka mbetur i lënduar. Agjenda e tij nuk ka ndryshuar dhe vazhdon si zakonisht. Pala ruse rezervon të drejtën të marrë masa hakmarrëse ku dhe kur e sheh të arsyeshme.
Presidenca e Rusisë
Zëdhënësi i presidencës, Dmitry Peskov, konfirmoi se Vladimir Putin nuk ishte në Kremlin në momentin e sulmit të supozuar me dronë. Masa e parë që është marrë nga autoritetet ruse ishte ajo e ndalimit të përdorimit të dronëve në të gjithë Moskën. Kjo erdhi pas akuzave të lëshuara nga Rusia në drejtim të Ukrainës se ka sulmuar me dron një depozitë karburanti pranë urës së Krimesë, duke shkaktuar atje një zjarr të madh.
Gjithashtu, është pretenduar se Kievi ka kryer një sulm po me dron në një bazë ushtarake të Putinit në Briansk. Ndër të tjera është njoftuar se shërbimet sekrete ruse kanë shmangur një atentat kundër guvernatorit të Krimesë së aneksuar. Për atë ngjarje janë arrestuar 7 persona.