Takimi Kurti-Vuçiç, pajtim për të pagjeturit, por jo për Asociacionin
Me qëndrime të kundërta për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por pajtueshmëri për Deklaratën e të Zhdukurve nga koha e luftës. Kështu u mbyll raundi i fundit i bisedimeve mes kryeministrin Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksander Vuçiç, i zhvilluar të martën në Bruksel.
Ndërmjetësuesit evropianë të bisedimeve kërkuan nga palët qasje më konstruktive, ndërsa shprehën frikë për përshkallëzimin e mundshëm të situatës në veri të Kosovës.
“Fatkeqësisht, liderët nuk arritën ndonjë marrëveshje sot dhe kam frikë se do të përballemi ndoshta me një situatë kritike në veriun e vendit, edhe pse shpresoj që jo. Problematikat e lidhura me situatën atje pas zgjedhjeve, kanë potencialin të minojnë implementimin e ujdisë për normalizim të marrëdhënieve”, tha Josep Borrell, përfaqësues i lartë i BE-së për politikat e jashtme dhe të sigurisë.
Megjithatë, Borrell shtoi se Kosova dhe Serbia shënuan përparim me miratimin e deklaratës për personat e zhdukur gjatë luftës dhe një hap simbolik drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në mesin e pikave të rendit të ditës ishte draft-statuti për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili u prezantua nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb. Kurti, e cilësoi si të papranueshëm.
“Jam thelbësisht kundër këtij draft-statuti, pasi tregon qartazi dëshirën për një Republikë Srpska në Kosovë. Në kontrast me të, unë kam propozuar një model për normalizimin të cilin Serbia e ka aktualisht me Republikën e Kroacisë, pasi nuk ka normalizim dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore pa njohje reciproke, por gjithashtu edhe pas trajtimin e ndershëm, serioz dhe mbrojtjen e minoriteteve kombëtare”, tha Kurti.
Vuçiç, në anën tjetër, tha se Kosova “ose do ta pranojë atë për të cilën është rënë dakord në vitin 2015, ose do të jetë fundi i gjithçkaje”. “Në vitin 2015, unë dhe kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa, kemi nënshkruar parimet për Asociacionin dhe tani ata po heqin dorë nga të gjitha, duke thënë se askush nuk mund t’i pranojë ato, sepse kështu e thotë Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, tha lideri serb.
Epilog më pozitiv patën diskutimet për çështjen e personave të zhdukur, ndërsa Kurti dhe Vuçiç u pajtuan mbi një deklaratë e cila parashikon disa angazhime për palët, që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të mbi 1600 personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur nga lufta e viteve 1998/99. Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, tha se Serbia, për herë të parë, përmes një dokumenti zyrtar, pranoi t’i hapë arkivat e saj shtetërore, përfshirë edhe ato të klasifikuara, në lidhje me çështjen e të zhdukurve.