Studimi i fundit, pse është i rëndësishëm kontakti "lëkurë më lëkurë" i nënës me foshnjën

Nga A2 CNN
4 Maj 2023, 08:37 | Lifestyle
Studimi i fundit, pse është i rëndësishëm kontakti

Kontakti lëkurë më lëkurë midis një prindi dhe një foshnje të porsalindur redukton intensitetin e përgjigjes së trurit të fëmijës ndaj dhimbjes. Ky është rezultati i një studimi të bërë nga University College London (UCL) dhe Universiteti i Kanadasë York.

Siç raportojnë shkencëtarët në botimin e bërë në Gazetën Evropiane të Dhimbjes, studimi vuri re se truri i foshnjave qetësohej kur kishte kontakt me nënën "lëkurë me lëkurë", sesa kur ishte mbi rroba.

"Ne zbuluam se kur një foshnjë është në krahët e prindërve të tij, me kontakt lëkurë me lëkurë, niveli më i lartë i përpunimit të trurit në përgjigje të dhimbjes zbutet disi dhe se truri i foshnjës përdor një rrugë tjetër për përgjigjen ndaj dhimbjes. Edhe pse ne nuk mund të konfirmojmë nëse foshnja në të vërtetë ndjen më pak dhimbje, gjetjet tona theksojnë sërish rolin e rëndësishëm të kontaktit midis prindërve dhe foshnjave të tyre të porsalindura”, shpjegon autori kryesor Dr. Lorenzo Fabrizi.

Studimi përfshiu 27 foshnja të moshës 0 deri në 96 ditë që lindën para kohe. Studiuesit matën përgjigjen e tyre ndaj një testi gjaku të dhimbshëm, por klinikisht të nevojshëm dhe aktiviteti i tyre i trurit u regjistrua nëpërmjet EEG. Foshnjat i mbante nëna e tyre, disa ishin të veshura, disa jo, ndërsa disa ishin në inkubator. Studiuesit zbuluan se përgjigjja fillestare e trurit ndaj dhimbjes ishte e njëjtë, por më pas u vu re se valët pasuese të aktivitetit u ndikuan te foshnjët me nënën që ishin lëkurë më lëkurë.

“Dhimbja mund të jetë e njëjtë, por mënyra se si truri i foshnjës e përpunon dhe reagon ndaj saj varet nga kontakti i tij me prindin. Gjetjet tona mbështesin teorinë se kontakti lëkurë më lëkurë midis të porsalindurit dhe prindit është i rëndësishëm për zhvillimin e fëmijëve”, thotë bashkautorja dhe profesoresha Rebecca Pillai Riddell.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu