Tepelena e pret labçe, Rama: Turizmi është projekti ambicioz i PS për këtë zonë
Tepelena e pret labçe, Rama: Turizmi është projekti ambicioz i PS për këtë zonë
Në takimin e fundit elektoral për zgjedhjet e 14 majit, Tepelena e ka pritur kryeministrin Edi Rama me këngen e fushatës, por nga tallava, në version labçe.
Pasi ishte kujdesur që t’i bënte qejfin kryetarit të partisë, Tërmet Peçi, i cili kërkon të rikonfirmohet në siglën e Partisë Socialiste, i kërkoi shefit politik që t’i financojë projektet e bashkisë pas 14 majit.
As në këtë takim, Rama nuk i kurseu batutat për kandidatin e tij socialist: “Këtu në Tepelenë kemi një kryetar bashkie që bën fitore publicitare”.
Tepelena turistike, ky është projekti i PS që ju prezantua banorëve të kësaj zone, për të marrë votën e tyre më 14 maj.
“15 mijë turistë vjet, 150 mijë duhet t’i bëjmë turistët. Kalaja nuk do të jetë më kantier, por do të gëlojë nga turistët”, tha kreu i qeverisë.
Për të sulmuar kundërshtarët politikë në terren, Rama nuk nguroi as të përdorë simbolin tonë kombëtar, flamurin kuq e zi: “Si është e mundur që ky flamur të harrohet dhe mbi këtë flamur të vendoset damka “non grata”.