Berisha në Tropojë: Asnjë verior nuk mund t’i japë votën Ramës, ai është racist që e ka si vëlla Vuçiçin dhe kundërshtar Albin Kurtin

Nga A2 CNN
6 Maj 2023, 12:08 | Politikë
Berisha në Tropojë: Asnjë verior nuk mund t’i japë

Sali Berisha u bëri thirrje tropojanëve dhe të gjithë veriorëve të mos votojnë për Edi Ramën. Në një takim elektoral në vendlindjen e tij, Berisha falënderoi tropojanët për rolin e tyre në fatet e Malësisë së Gjakovës, por edhe të gjithë Shqipërisë.

“Këto zgjedhje janë shumë më tepër, janë shumë më tepër se zgjedhje për qeveri vendore. Janë zgjedhje kundër një njeriu që ka pushtuar, ka marrë në dorë të gjitha pushtetet dhe i përdor kundër qytetarëve. Kundër një njeriu që ka zbrazur Tropojën si asnjë pushtim. Ka larguar çdo institucion. Kundër një njeriu, që javën e parë që erdhi në pushtet, preu ndihmën ekonomike për qarkun e Kukësit në 20 mijë familje. Një racist i egër! Preu ndihmën ekonomike vetëm pse nuk e votuan në vitin 2013. Tropoja dhe veriu, ia them përsëri, kanë te Edi Rama pas Enver Hoxhës dhe Car Dushanit, armikun më të egër, racistin më të papërmbajtur. Asnjë verior nuk mund t’i japë votën atij. Edi Ramës nuk i jepet vota. U them socialistëve të Tropojës se kam respekt për ta, për qëndrimin në opozitë siç kam qëndruar edhe vetë. Por nuk i jepet vota atij që i thotë se e kam sivëlla Vuçiçin dhe kundërshtar Albin Kurtin”, tha Berisha.

Ai ftoi qytetarët e Bajram Currit të votojnë për Besnik Dushën, të cilin e quajti menaxheri të shkëlqyer. “Besnik Dusha është një malësor që mishëron vetitë më të arrira tuajat, dashurinë e madhe për Malësinë e Gjakovës, për qytetarët e saj, përkushtimin e pakufizuar për të bërë të mundur shërbimet më dinjitoze që meritoni, për të përdorur taksat tuaja në mënyrën më transparente. Besnik Dusha ka një detyrë, ajo detyrë është të ftojë këtu në këtë shesh, para jush, Rexh Byberin dhe t’i thotë: hajde t’u japim llogari këtyre qytetarëve, t’i nxjerrim xhepat, të bëjmë bilancet, çfarë ke bërë ti dhe çfarë kam bërë unë gjatë qeverisjes, t’u thuash të gjitha mendimet që ke.  Rexha e ka shndërruar bashkinë në një gropë më të thellë se përroi i Shendelicës. Dalja e qeveritarëve para qytetarëve është akt ligjor dhe moral i detyrueshëm. Por Rexha nuk del sepse nuk mund të dalë. I del gropa e madhe që ka bërë në bashki, i dalin tenderat që i ka dhënë siç ai i din. I dalin të gjitha aktet e tij, me të cilat vërtet nuk iu ka shërbyer qytetarëve të Malësisë së Gjakovës, por vetëm xhepit të tij. E pashë në Kukës me Edi Ramën, Edi Rama i thoshte Safet dhe Rexhë, vallen e Tropojës, por ata dinë vetëm vallen e lekut, nuk dinë valle tjetër”, shtoi Berisha.

https://a2news.com/2023/05/05/thirrja-kunder-meje-do-ti-dale-per-hundesh-berisha-pas-zgjedhjeve-lokale-ka-zgjedhje-parlamentare/

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni