Kjo është xhamia e parë në botë e printuar 3D

Nga A2 CNN
6 Maj 2023, 11:24 | Lifestyle

Vitet e fundit, printimi 3D po përdoret gjerësisht në ndërtimin e shtëpive, bizneseve e madje edhe urave. Por Dubai ka vendosur të ndërtojë xhaminë e parë në botë të printuar në 3D.

Struktura do të strehojë 600 besimtarë dhe do të mbulojë 2000 metra katrorë në dy kate. Puna është planifikuar të fillojë në fund të vitit dhe pritet të përfundojë në tremujorin e parë të vitit 2025.

"Ne zgjodhëm të printojmë xhaminë 3D sepse është një teknologji e re dhe inovative që mund të kursejë kohë dhe burime në krahasim me metodat tradicionale të ndërtimit."

Mohammad Alhalyan Alsuwaidi, kreu i inxhinierisë në Departamentin e Çështjeve Islame

Ndërtimi i ndërtesave duke përdorur printimin 3D kërkon makina të mëdha printimi. Shumica e strukturave të printuara 3D janë bërë nga betoni, por është e mundur të printohen duke përdorur edhe materiale të tjera, si argjila.

Modernizimi i industrisë së ndërtimit

Dubai ka vendosur të bëhet kryeqyteti i printimit 3D në botë, ndaj në vitin 2018 u prezantua një "Strategji e printimit 3D", ku planifikohej që 25% e ndërtimeve të reja, deri në vitin 2030, të printohej në 3D.

Në vitin 2019, Dubai mbante rekordin botëror për ndërtesën e Bashkisë si struktura më e madhe e printuar 3D. Mirëpo këto lloj ndërtesash nisën të përhapeshin me shpejtësi në botë, duke u përdorur si vendstrehime për refugjatët, për njerëzit e pastrehë dhe si komplekse të mëdha sportive apo ushtarake.

Ndërsa ndërtimi i xhamisë, sipas ekspertëve, është një projekt ambicioz që pritet të ketë dhe sfida të mëdha.

“Dizajni dhe ndërtimi digjital janë kursim kohe. Do të zvogëlojë kostot e ndërtimit dhe kostot e gabimeve, si dhe do të zgjidhë problemin e mungesës së punëtorëve të ndërtimit. Pa asnjë dyshim, printimi 3D do të funksionojë, megjithatë, sfidat do të jenë të mëdha. Mund të ketë shumë gabime, por do të na shërbejë për të mësuar më shumë rreth kësaj teknologjie ndërtimi.”

Theo Salet, dekan i Departamentit të Mjedisit në Universitetin e Holandës
https://a2news.com/2021/12/05/shnderrimi-mbreselenes-i-dubait-nga-vitet-70-e-deri-me-sot/
https://a2news.com/2021/10/10/printimi-3d-mund-te-ndihmoje-ne-shpetimin-e-koraleve/
https://a2news.com/2022/12/10/shtepite-qe-mund-te-shpetojne-boten/

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu