Qëlloi me armë zjarri në ajër nga automjeti, Policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin në Pukë

Qëlloi me armë zjarri në ajër nga automjeti, Policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin në Pukë
Policia e Pukës ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim 26-vjeçarin e cili ka qëlluar me armë zjarri në ajër nga automjeti afër mesnatës në qytet.
Për këtë ngjarje kryebashkiaku i Pukës Gjon Gjonaj akuzoi rivalin e tij të koalicionit “Bashkë fitojmë” se po bën presion mbi qytetarët në prag të zgjedhjeve. Sipas tij janë kërcënuar me armë mbështetës të PS-së.
Njoftimi i Policisë Pukë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, me marrjen e njoftimit, në mesnatë, rreth orës 00:20, se në dalje të qytetit të Pukës në aksin rrugor Pukë – Fushë-Arrëz, ishin dëgjuar të shtëna me armë, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë organizuar punën, ku falë veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin e shtetasit, i cili ka qëlluar me armë zjarri, në ajër.
Si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të policisë bazuar dhe në inteligjencën informative, u bë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarje dhe shpallja në kërkim e shtetasit K. P., 26 vjeç, banues në Tiranë.
Vijon puna intensive për kapjen e tij dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore.
Gjithashtu u bë identifikimi dhe shpallja në kërkim dhe e automjetit nga i cili ky shtetas ka qëlluar në ajër, duke qenë në lëvizje.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.