
Pas 20 vitesh, një President polak vizitë zyrtare në Shqipëri
Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri në datat 10-11 maj. Kjo vizitë është bërë me ftesë nga kreu i Shtetit, Bajram Begaj, duke u bërë kështu vizita e parë zyrtare pas 20 vitesh e një Presidenti polak në Shqipëri
Referuar agjendës së bërë publike nga zyra e shtypit të Presidencës, Duda pritet të mbërrijë në Shqipëri, më 10 maj, ndërsa, më 11 maj ora 11:00 do të pritet me nderimet e rastit nga Begaj në Presidencë.
Pas ceremonive të mirëseardhjes, të dy Presidentët do të zhvillojnë një takim të veçantë dhe më pas do të kryesojnë delegacioniet e të dy vendeve në një takim të zgjeruar, ndërsa në mbarim të takimit, do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media.
Në pjesën e dytë të ditës, në orën 16:30, të dy presidentët do të marrin pjesë dhe do t’i drejtohen me mesazhe, forumit të përbashkët ekonomik që do të zhvillohet me pjesëmarrjen e sipërmarrjeve nga të dy vendet. Presidenti Dudaj shoqërohet në këtë vizitë nga një përfaqësi sipërmarrësish polakë, të organizuar nga Agjencia Polake e Investimeve dhe Tregtisë (PAIH).
Gjatë qëndrimit në Shqipëri Presidenti Dudaj do të zhvillojë edhe një vizitë të shkurtër në qytetin e Krujës.