Debati për stadiumin e Lezhës, Ndreu: Do të zhvendoset, gjeta një bashki me borxhe

Nga A2 CNN
8 Maj 2023, 21:10 | Politikë
Debati për stadiumin e Lezhës, Ndreu: Do të zhvendoset, gjeta

Gara për Bashkinë e Lezhës ishte në fokus të emisionit të radhës Debat në A2 CNN, dedikuar zgjedhjeve lokale të 14 majit.

Kryebashkiaku aktual Pjerin Ndreu bëri një rezyme të arritjeve gjatë mandatit të parë dhe u ndalua te projekti i stadiumit të ri të qytetit, i cili mesa duket ka zënë vendin e parë në debatin publik me rivalët politikë.

Ndreu u shpreh se stadiumi i ri do të zhvendoset, ndërsa në vendin ku qëndron ai i vjetri do t’i hapet rruga një projekti të ri shumë të munguar për qytetin.

“Do të ndërtojmë një park të madh me parking. Një histori që ka shqetësuar shumë palën tjetër. Do të ndërtojmë një stadium të ri. Iu them qytetarëve të mos gënjehen. Stadiumi i ri do të spostohet në një vend tjetër. Kemi rënë dakord me FSHF dhe qeverinë shqiptare. Do ndërtojmë fushën stërvitore, fusha tenisi, volejbolli. Stadiumi “Besëlidhja” nuk do të jetë aty, por do të ketë një tjetër më të mirë. Aty do të bëhen dy kate parking dhe do ketë një park rekreativ. Projekti i ri i stadiumit do të ketë 5000 vende” tha kandidati socialist.

Një ndër arritjet e tij më të mëdha, Ndreu konsideroi dhe reformën strukturore të kryer në bashkinë e Lezhës, e cila sipas tij ishte e mbushur me punësime politike dhe që kishin çuar borxhin e këtij institucioni në nivele tepër të larta.

“Ne gjetëm shumë problematika përballë një prej tyre ishte dhe numri i madh i të punësuarve. Shumë nuk vinin në punë dhe merrnin rrogën. Borxhi ishte i lartë. Territori ishte i mbushur me papastërti, sidomos në zonat turistike. Bëmë një reformë strukturore dhe rikthyem njerëzit në punë. Morëm në kontroll borxhin dhe shpenzimet, të cilat i reduktuam”, u shpreh Ndreu.

Në lidhje me rivalin demokrat, kryebashkiaku në detyrë, Ndreu tha se nuk ka asnjë koment negativ, teksa shtoi se ka hyrë në garë me paragjykimin se Lezha është e djathtë dhe pa një program të qartë.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni