Irani ekzekuton dy të dënuar për blasfemi

Nga A2 CNN
8 Maj 2023, 18:59 | Bota
Irani ekzekuton dy të dënuar për blasfemi

Autoritetet në Iran ekzekutuan dy persona të shpallur fajtorë për djegie të librit të shenjtë të Kuranit dhe fyerje të profetit të Islamit.

Agjencia e lajmeve Mizan raporton se Yousef Mehrad dhe Sadrollah Fazeli-Zare ishin shpallur fajtorë pasi drejtonin disa faqe në rrjetet sociale të cilat ishin dedikuar për ateizmin dhe përdhosjen e figurave fetare.

Avokatët mbrojtës insistuan për një kohë të gjatë se klientët e tyre ishin të pafajshëm, teksa grupet për të drejtat e njeriut i cilësuan ekzekutimet si mizore dhe që i përkisnin një regjimi mesjetar.

Kohët e fundit ka pasur një shtim të dënimeve me vdekje në Republikën Islamike për shkak të protestave antiqeveritare, teksa ekzekutimet për blasfemi kanë qenë të rralla.

Sipas mediave iraniane, Yousef Mehrad dhe Sadrollah Fazeli-Zare u ekzekutuan me varje në burgun e Arak, në qendër të Iranit.

Dy burrat u arrestuan në 2020 nën akuzën se kishin në administrim një faqe në Telegram të quajtur “Kritikë ndaj Supersticionit dhe Fesë”. Për muaj të tërë ata u mbajtën në izolim, pa u lejuar që të takoheshin me familjarët dhe avokatët.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi