Ekstradohen në Shqipëri dy shtetas në kërkim ndërkombëtar

Publikuar më: 9/5/2023, ora 14:57
ekstradim e1542722053381 1

Ekstradohen në Shqipëri dy shtetas në kërkim ndërkombëtar

Publikuar më: 9/5/2023, ora 14:57

Dy shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë kapur në Greqi dhe në Serbi dhe janë ekstraduar drejt Shqipërisë.

I ekstraduari nga Greqia është i akuzuar si pjesëtar i një grupi kriminal me aktivitet trafikimin e lëndëve narkotike, ndërsa i ekstraduari nga Serbia është i dënuar me 3 vjet burgim, për dy vepra të ndryshme penale.  

“Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Athinën, u ekstradua nga Greqia drejt Shqipërisë, shtetasi shqiptar K. R., 30 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, në vitin 2019, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Shtetasi K. R. ka qenë pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Beogradin, u ekstradua nga Serbia drejt Shqipërisë, shtetasi Almario Vojoviç, 29 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale ‘’Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve’’ dhe me 1 vit tjetër burgim, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Shtetasi Almario Vojoviç, në vitin 2018, ka strehuar në banesën e tij dhe ka transportuar kundrejt pagesës, shtetas të huaj, për t’i ndihmuar që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu, ky shtetas ka mbajtur pa lejen përkatëse, në ambiente publike, një dorezë metalike (përforcues grushti), e klasifikuar si armë e ftohtë”, lexohet në njoftimin e Interpol Tirana.

Gjithashtu, është ekstraduar nga Shqipëria drejt Italisë, një shtetas i dënuar me 8 vjet burgim, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.