Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Teleskopi gjigant i NASA-s zbulon planetë të fshehur mes “pluhurit”

Nga A2 CNN
9 Maj 2023, 15:13 | Teknologji

Astronomët kanë përdorur teleskopin hapësinor, James Webb, për të vëzhguar rripin e parë të asteroideve jashtë sistemit tonë diellor dhe zbuluan disa “surpriza kozmike”, gjatë rrugës.

Observatori hapësinor u fokusua në pluhurin që rrethon Fomalhaut, një yll i ri dhe i ndritshëm që ndodhet 25 vite dritë nga Toka në konstelacionin Piscis Austrinus.

Disku me pluhur rreth Fomalhaut u zbulua fillimisht në vitin 1983 me ndihmën e satelitit astronomik me rreze infra të kuqe, të NASA-s.

Por studiuesit e Webb-it nuk prisnin të shihnin tre unaza pluhuri që shtriheshin 23 miliardë kilometra nga ylli, ose 150 herë më shumë se distanca e Tokës nga dielli.

Imazhet e reja të kapura nga teleskopi gjigant hapësinor, zbuluan për herë të parë dy rripat e brendshëm të Fomalhaut, të cilët nuk janë shfaqur në imazhet e mëparshme të marra nga Teleskopi Hapësinor Hubble ose observatorë të tjerë.

Imazhi i detajuar i rripave të pluhurit, i kapur në dritën infra të kuqe që është e padukshme për syrin e njeriut, tregoi se strukturat janë më komplekse se brezi kryesor i asteroidëve dhe brezi Kuiper në sistemin tonë diellor.

Zbulimi i dy unazave të brendshme të Fomalhaut sugjeron se planetët e fshehur më thellë brenda sistemit të yjeve mund të ndikojnë në formën e rripit të pluhurit. Vetëm rripi i jashtëm i Fomalhaut është rreth dyfishi i shkallës së Brezit Kuiper.

Imazhi i ri dhe një studim që detajon gjetjet u botuan të hënën në revistën Nature Astronomy.

Kombinimi i pamjeve të reja të marra nga Webb-i, së bashku me imazhet e marra më parë nga Hubble, Observatori Hapësinor Herschel i Agjencisë Hapësinore Evropiane dhe grupi i teleskopëve Atacama Large Milimeter/nënmilimetër mund t'u ofrojnë shkencëtarëve një panoramë më të detajuar se si formohen brezat e mbeturinave rreth yjeve.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani