Dialogu vijon, Lajçak viziton këtë javë Kosovën dhe Serbinë, vizitë edhe në Mitrovicën e veriut
Dialogu vijon, Lajçak viziton këtë javë Kosovën dhe Serbinë, vizitë edhe në Mitrovicën e veriut
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, viziton këtë javë Kosovë dhe Serbinë, në përpjekje për të çuar përpara bisedimet për normalizim mes palëve. Zyrtari do të jetë nesër në Prishtinë ku do të takohet me udhëheqësit, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, ndërsa do të vizitojë edhe Mitrovicën e Veriut.
Këtë e konfirmoi zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, duke shtuar se Lajçak synon që të përgatisë hapat e ardhshëm në kuadër të dialogut, për të vazhduar me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Në këtë tur vizitash, ndërmjetësuesi evropian do të takohet dhe me dy kryenegociatorët, Besnik Bislimin e Kosovës dhe Petar Petkoviçin e Serbisë.
Një ndër pritshmëritë, është që Lajçak të përsërisë qëndrimin e Brukselit për draft-statutin e asociacionit të prezantuar në takimin e 2 majit nga Ekipi Menaxhues, dhe kritikat ndaj qeverisë Kurti për shkarkimin e tij. Kurti e refuzoi menjëherë atë me arsyetimin se draft-statuti krijon një republikë sërpska në Kosovë.