Platforma e Marko Dajtit për bashkinë e Tiranës: S’jam komunist, por i majtë

Nga A2 CNN
10 Maj 2023, 21:24 | Politikë
Platforma e Marko Dajtit për bashkinë e Tiranës: S’jam

“Jam i majtë i pandryshueshëm kurrë”. Kështu e cilëson veten Marko Dajti, kandidati për Bashkinë e Tiranës, që në KQZ u paraqit me firmën e demokratit Flamur Noka. Ai vjen nga radhët e partisë Fronti i Majtë, një devirat i Partisë së Punës.

Sipas tij, e majta në Shqipëri ka devijuar nga parimet e saj, ndaj ka vendosur që në këto zgjedhje të ofrojë plaftormën e tij për Tiranën dhe për të përfaqësuar të majtët në këtë bashki. 

“Vendosa të kandidoj pasi pash që e majta nuk po përfaqësohet nga të majtët e vërtetë. Ne po na përfaqëson Erion Veliaj që nuk ka lidhje me të majtën shqiptare dhe duke parë që votat tona po keqpërdoren nga një njeri që nuk ka lidhje me të majtën, unë vendosa që të përfaqësoj të majtën”.

Që ditën e parë që njoftoi se do të garonte për Tiranën, Marko Dajti është cilësuar si “komunisti”, por ai thotë se ky epitet nuk është i duhuri për të. 

“Mund ta përdorin këtë që garoj si komunist, por unë jam i majtë. Për mua komunizmi nuk ka vend sot për sot në Shqipëri. Unë jam i majtë, idealit. Komunistët ishin të tjerë, ishin të tjerë burra që kanë bërë gjëra të tjera. Nuk e besoj që jemi në atë stad që të themi që jam komunist”.

Edhe pse e shkuara e tij është komuniste, Dajti kërkon ndjesë për krimet që ka bërë regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, por ka një kusht. 

“Të gjithë të përndjekurit politik duhet t’i drejtohen gjykatës dhe të marrin pafajësinë. Aty do shikohet se kush kanë qenë spiunët, pasi ka njerëz që janë dënuar kot, pa bërë faj. Të përndjekurit politik duhet të marrin dëmshpërblime edhe më të mëdha dhe të vlerësohen me pushtet, pasi e meritojnë pushtetin”.

Idetë e bëra publike nga kundërshtarët i quan mashtrime. Ai vetë premton se Tirana në drejtimin e tij do ndryshoj dhe qytetarët do të jenë më të përfaqësuar.

“Programi im bazohet në këto shtylla. Ndërmarrja e pastrim-gjelbërimit, asfaltimi dhe mirëmbajtja e rrugëve, shërbimi urban, do të jenë të gjitha nën administrimin e Bashkisë së Tiranës. Do të dyfishojmë pagat, pasi do të kursejmë para. Kemi menduar dhe do të bëjmë, për pensionistët shqiptarë që marrin në 300mijë Lekë në muaj të asistohen me 50 mijë Lekë të vjetra çdo muaj nga bashkia. Do asfaltohet dhe rregullohet çdo rrugë dhe rrugicë, janë qendrës së Tiranës, jashtë unazës së Tiranës. Kam parashikuar që Tirana të ketë dhe dy qendra të reja, Kinostudion dhe Kombinatin. Do ndërtoj dy qendra të reja të Tiranës”.

Një pjesë e programit të tij është e fokusuar edhe tek fshati për fuqizimin e periferisë së Tiranës. 

“Do rregullojmë rrugët e fshatrave, duke asfaltuar rrugët dhe do ndërtojmë qendrat e tyre për të nxitur turizmin malor. Do t’i japim çdo çobani që mbarështon bagëti 400 mijë Lekë rrogë në muaj”.

Çështjen e pronave e shikon si shumë problematike dhe në Tiranë, ndaj premton se do të ndërtojë zyra juridike në çdo njësi administrative që të ndihmohen qytetarët. Thotë se do të jetë i ndershëm dhe i pakorruptueshëm në krye të Bashkisë së Tiranës, ndaj kërkon që në 14 Maj qytetarët të votojnë emrin e tij në fletën e votimit. 

“Jam një nga ato, jam një nga qytetarët e Tiranës. Kam ideale të majta, duke qenë se jam idealist, jam kundër korrupsionit”.

Për kundërshtarët nuk preferon që të jap një mendim, pasi thotë se duhet të jenë qytetarët ata që do të vlerësojnë se këto do të kenë në krye për 4 vitet e ardhshme.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu