Bashkitë shtojnë borderotë, rriten punësimet ndërkohë që popullsia tkurret e shërbimet jepen “online”

Publikuar më: 11/5/2023, ora 15:29

Bashkitë shtojnë borderotë, rriten punësimet ndërkohë që popullsia tkurret e shërbimet jepen “online”

Publikuar më: 11/5/2023, ora 15:29

Popullsia po tkurret, thuajse të gjitha shërbimet kanë kaluar “online”, por kjo nuk po i frenon bashkitë të punësojnë edhe më shumë njerëz.

Vetëm gjatë vitit të shkuar, periudhë kjo përgatitore për zgjedhjet e 14 majit, 61 njësitë e pushtetit vendor shtuan në borderotë e tyre 1 mijë e 859 të punësuar të tjerë.

Rekrutimet e reja e çua në 36 mijë e 663 numrin total të të punësuarve në pushtetin vendor, shifër kjo 5.3 për qind më e lartë se në 2021-shin.

“Përveç faktit që është në rritje, rritja po ndodh në pozicionet e gabuara. me të vërtetë Shqipëria ke nevojë më shumë punonjës shëndetësore për shkak të plakjes së popullsisë, por ne shtojmë punonjës për vota.”

Gjergj Erebara, gazetar i çështjeve ekonomike

Të dhënat nga Sistemi Informatik Financiar i Qeverisë tregojnë se Shkodra pati numrin më të lartë të të punësuarve gjatë vitit të shkuar me 427 individë të rinj. Lista pasohet nga Tirana, Kamza dhe Bashkia Memaliaj.

“Një administratë publike e fryrë me militantë nuk është vetëm problem për buxhetin e shtetit, por për demokracinë. Punësimet politike zhbëjnë garën e ndershme.”

Gjergj Erebara, gazetar i çështjeve ekonomike

Me gjithë reformën administrative të 2014-s, qëllimi i së cilës ishte rritja e eficencës në shërbime dhe ulja e numrit të të punësuarve për të reduktuar kostot, pak nga këto qëllime kanë gjetur zbatim 8 vite më pas.

Numri i të punësuarve në pushtetin vendor nga më pak se 20 mijë para reformës është rritur me 86 për qind, ndërsa një sërë raportesh tregojnë se bashkitë kanë bërë pak për ofrimin e shërbimeve publike.