Në një kohë demokratësh të përçarë e në gjyq për drejtimin, logon dhe siglën, të rinjtë e Departamentit Brain Gain kanë hartuar librin e Punëve të Mira të Partisë Demokratike. Ai prezantohet si një libër kujtese me të cilin demokratët mund të orientohen për të çuar mesazhet e tyre në një shoqëri, sipas tyre të ndikuar nga patronazhistët apo aktivistët. Ky është edhe qëllimi pse nisma vjen në prag të zgjedhjeve.
“Ky libër vjen si një nevojë jetësore sepse jemi sulmuar pa reshtur nga propaganda e Rilindjes e cila thotë se PD-ja nuk ka bërë asgjë dhe nga ana tjetër thotë se e keqja vjen vetëm nga ne, mesazh kontradiktor dhe kjo propaganda nuk është luftuar”.
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se vitet e qeverisjes Rama kanë shënuar regres në vend.
“Jemi në prag të këtyre zgjedhjeve, natyrisht nuk mund të mos themi se këto 10 vite, po t’i karakterizojmë në rrafshin filozofik, kanë qenë vite të një kohe të ndaluar, në kuptimin e asaj që progresi, zhvillimi i Shqipërisë, avancimi i këtij procesi që është jetik për Shqipërinë, u ngadalësua në mënyrë të jashtëzakonshme dhe njohu edhe prapa-kthehu”.
Ky libër është produkt i bashkëpunimit mes të rinjve në departamentin e Brain Gain dhe personaliteteve që kanë ushtruar përgjegjësi të larta politike gjatë qeverisjes së Berishës.
“Për një kohë shumë të gjatë është krijuar një përplasje artificiale midis brezave në Partinë Demokratike. Kjo kohë duhet kuptuar dhe kjo përplasje duhet luftuar, ishte motoja me të cilën ky departament mori nismën për të publikuar këtë libër. (A2 Televizion)